Kreu i Dhomës Amerikanë të Tregtisë, Enio Jaçe, përmes një postimi në rrjete sociale ka reaguar për raportin e korrupsionit të “Transparency International”.
Jaçe shprehet se Shqipëria ka ngecur në progresin me antikorrupsionin dhe se është për të ardhur keq. Ndër të tjera Jaçe deklaron se ky tregues, nuk po u jep sinjale pozitive investitorëve dhe se korrupsioni është humbja më e madhe për vendin. Ai shton se duhet një vullnet i gjithëanshëm politik, institucional, bashkëpunim i të gjithë aktorëve që praktikat anti-korrupsion të bëhen realitet.
“Pyetjes së përsëritur mbi klimën e biznesit në Shqipëri i jep përgjigjen sot raporti i Transparency International për 2021. Lexova intervistën e Lidija Prokic, Këshilltare për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International në Zërin e Amerikës. Është për të ardhur keq, që në një hark prej 10 vitesh, mungesa e Transparencës me Prokurimet Publike, zbatimi i pabarabartë i ligjit dhe qasja autoritare e qeverive ka bërë që Shqipëria të ngecë në progresin me antikorrupsionin. Me një mungesë të thelluar përparimi, Shqipëria nuk po i lëshon sinjale pozitive investitorëve por as po zhvillon potencialet e saj.
Dhoma Amerikane prej një viti ka parashtruar rëndësinë e ngritjes së një mekanizmi anti-korrupsion me masa ndëshkimore legjislative për zyrtarët e korruptuar, si dhe për krijimin e hapësirës për përfshirjen e medias dhe shoqërisë civile në denoncimin e rasteve korruptive. Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur dhe korrupsioni është humbja më e madhe për vendin. Duhet një vullnet i gjithanshëm politik, institucional dhe bashkëpunim i të gjithë aktorëve që praktikat antikorrupsion të bëhen realitet.”-shkruan Jaçe.