Kronike 1 Prill 2022, 11:42

I akuzuar për 7 vrasje të bujshme, mbahet sot seanca ndaj Nuredin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
I akuzuar për 7 vrasje të bujshme, mbahet sot seanca ndaj Nuredin

I akuzuar për 7 vrasje të bujshme, mbahet sot seanca ndaj Nuredin Dumanit

Ditën  e sotme, mësohet se do të zhvillohet seanca gjyqësore nga Gjykata e Elbasanit për dhënien e masës së sigurisë për Nuredin Dumanin, i arrestuar tre ditë më parë.

Seanca pritet të zhvillohet në orën 15:00 të ditës së sotme, në ambientet e spitalit të traumës në Tiranë. Gjyqtare e çështjes është përcaktuar Matilda Fetau, ndërsa prokurori, Kreshnik Ajazi.

Nuredin Dumani vijon të qëndrojë i shtruar të Trauma, pasi plumbi që mori në përplasjen me armë në Papër nuk i është hequr ende nga trupi. 39 vjeçari nuk ka dhënë dëshmi para grupit hetimor, ndërkohë që dy mjekët dhe infermieri janë arrestuar për akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprime të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Sipas policisë, duhet të kishin lajmëruar uniformat blu sipas ligjit.

E arrestuar është edhe vajza 20 vjeçare Mirjeta Hajdini, me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe përkrahja e autorit të krimit. E reja me origjinë nga Kosova u gjet brenda banesës ku u arrestua Dumani. Ky i fundit, muaj më parë kishte qëndruar në Kosovë duke kaluar në mënyrë ilegale dhe pasi u kthye në vendin tonë kishte marrë me vete edhe vajzën 20 vjeçare.

Bashkë me ta në pranga është vendosur edhe Henrik Hoxhaj. 40 vjeçari nga Fieri dyshohet të ketë ndihmuar Dumanin për ta strehuar, pasi banesa ku ai u kap, ishte në pronësi të mikut të Hoxhajt.

Policia dhe Prokuroria e Elbasanit po vijojnë ende hetimet për të zbuluar itinerarin e ndjekur nga Nuredin Dumani para përplasjes së armatosur në Papër, dy ditë më parë. Si dhe kush janë personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Si u arrestua Nuredin Dumani?

I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua në Fier gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA. E gjitha ndodhi pas përfshirjes në një atentat të ndodhur pasditen e 30 marsit ndaj Talo Çelës, një prej emrave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Dumani u plagos në shpatull gjatë përplasjes në Elbasan. Ai mori ndihmën e parë në spitalin e Fierit dhe aktualisht po transportohet drejt Tiranës nën masa të rrepta sigurie.

Policia mori informacion se Dumani pas atentatit në Elbasan është larguar për në qytetin e Fierit dhe po fshihej në një bllok pallatesh në lagjen “Apollonia”. Dumani ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit nga forcat speciale “RENEA”. Bashkë me të, ranë në pranga edhe 5 persona të tjerë të përfshirë, 2 mjekë, një infermier, e dashura e tij dhe një person shoqërues.

Por kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani është një emër i njohur për botën e krimit. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020. Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.

Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen ndaj grupit të Talo Çelës, të akuzuar për dy ngjarje kriminale me 4 viktima. Në gjykim  kaloi dosja për Besian Xhixhan, Enver Divan, Altin Ndocin dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Allën. Kurse për të pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk ishin arrestuar. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia.

Kronike Arrestim Elbasan Fier gjykatë Nuredin Dumani seance Spital Vrasje