Aktualitet26 Nëntor 2022, 12:51

I anuluan protestën, Berisha: Nuk pyesim për policinë, do të mbushim sheshet!

Shkruar nga Pamfleti
I anuluan protestën, Berisha: Nuk pyesim për policinë, do të

Kryefoltoristi Sali Berisha e konsideron nul njoftimin e Policisë së Shtetit, që nuk e lejon për organizimin e protestës më 6 dhjetor në Bulevardin e Tiranës, me argumentin se cenohet siguria kombëtare. Pas ngritjes së strukturave paralele në PD, “njeriu i aksionit” është i gatshëm të krijojë edhe institucione paralele për qeverisjen e vendit apo edhe ta kthejë Shqipërinë në anarki, vetëm për të përmbushur qëllimin e tij: në planin afatshkurt – realizimi i protestës së 6 Dhjetorit, në afatgjatë – heqja e “non gratës” nga SHBA.

Të paktën mosbindje civile dhe anarki nënkuptonte “injeksioni” dhuruar berishistëve në platformën Tik Tok, mesditën e kësaj të shtune kur tha prerë se: nuk pyesim për policinë, do të mbushim sheshet.

Megjithëse në daljet e mëhershme publike, kreu i Rithemelimit ka siguruar se protesta është  kundër qeverisë së Ramës dhe jo liderëve të Bashkimit Evropian, mesazhet e tij tregojnë të kundërtën.

Iu rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve”- tha Berisha, duke zgjedhur të sillet sikur nuk e kupton rëndësinë e organizimit të Samitit të 6 Dhjetorit dhe arsyet pse Policia e Shtetit, për çdo rast, është e detyruar të rrisë masat e sigurisë për të siguruar mbarëvajtjen e takimit të liderëve evropian në Tiranë (ku mes të cilëve do të jenë personalitete si Emanuel Macron, Scholz, Meloni ect…) për të shmangur çdo incident të mundshëm.

Pavarësisht gjithçkaje, Berisha “gjëmon” ende në të tijën, duke ritheksuar se “atë ditë do ta mbushë Bulevardin si kurrë më parë.”

Policia e Shtetit njoftoi mbrëmë se nuk njeh Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Lidhur me këtë njoftim, i rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve. Por krahas kësaj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë. Së treti, policia e shtetit e Edi Ramës, po e trajton samitin e liderëve të BE, sikur këtu po mblidhen diktatorët e botës, në një kohë kur ata që vijnë në Tiranë janë shtetarë të zgjedhur me votën e lirë.

Komisioni Europian, për të qartësuar pozicionin evropian, kërkoi që e drejta për protestë të respektohet. Prandaj ai refuzim është i paqenë. Ai tregon fytyrën e vërtetë të këtij regjimi që është i tmerruar nga populli opozitar që do të mbushë sheshin më datën 6 në orën 12. Në këtë datë do vërshojnë të gjithë ata që ëndrrën evropiane e kanë më të çmuarën për të ardhmen e tyre. Në datën 6 do të vërshojnë të gjithë ata që shohin vlerat evropiane si më të çmuarat.

Do jetë një protestë që nuk është parë ndonjëherë. Do jetë një protestë ku do buçasë në çdo anë thirrja, E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Thirrja: Edi Rama dhe narkoshteti nuk përfaqësojnë Shqipërinë, Edi Rama dhunues kryesor i votës së lirë në Europë pas Lukashenkos, Edi Rama, një vasal i verbër i Vuçiçit dhe avokat mjeran i Rusisë së Vogël dhe Putinit. Kemi kaq motive për të qenë në shesh duke garantuar sigurinë e plotë të miqve tanë, të cilët i përshëndesim dhe e konsiderojmë nderim të madh për kombin shqiptar. Por Edi Rama nuk përfaqëson votën e lirë, ai përfaqëson narkoshtetin dhe gjithçka që e shndërroi këtë popull në popullin e gomoneve. Kështu që ne duhet të jemi aty, të gjithë së bashku, dhe do jemi”, tha Berisha.

Vlen të theksohet se, Policia e Shtetit i ka lejuar Berishës të zhvillojë protestën më 6 dhjetor, ditën kur organizohet samiti BE – Ballkani Perëndimor në Tiranë, por jo në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, para Kryeministrisë, ashtu sikurse ai kishte kërkuar, pasi kërcënohet siguria kombëtare dhe ajo publike.

Kryesore #Samiti BE-Ballkan Perëndimor Berisha Protesta e 6 Dhjetorit