Kronike11 Gusht 2022, 21:23

I dënuar me 12 vite burg për lidhje me bandën e Habilajve, arrestohet ish-shefi i policisë në Dhërmi

Shkruar nga Pamfleti
I dënuar me 12 vite burg për lidhje me bandën e Habilajve,

Policia ka arrestuar ish-shefin e policisë në Dhërmi, Sokol Bode. Ky i fundit ishte shpallur në kërkim, pasi u dënua nga gjykata me 12 vite burg për akuzën e trafikut të narkotikëve në kuadër të grupit kriminal të Habilajve.

Bode së bashku me ish-oficerin tjetër të policisë Gjergji Kohila ishin në arrati kur u dha vendimi dhe u dënua në mungesë. Por forcat e rendit e kanë identifikuar dhe arrestuar.

Kush është Sokol Bode?

Bode ish-drejtori i Postës Policore në Dhërmi ka qenë gjithnjë në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt, (ky i fundit i arrestuar në Itali, por më pas u arratis). Së bashku me Kohilajn dhe ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela, ai akuzohet se me mosveprimet e tij ka lejuar trafikun ndërkombëtar të drogës të udhëhequr nga Habilajt në drejtim të Italisë.

Kujtojmë se Jaled Çela u dënua me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryej 3 vite e 4 muaj burg, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Çela akuzohej se ka mbajtur lidhje me Moisi Habilajn dhe ka ndërhyrë në policinë Vlorë që drejtonte që të mos pengohej aktiviteti i kultivimit të kanabisit. Dosja e Jaeld Çelës dhe ish-ministrit Saimir Tahiri u gjykuan nga Apeli i GJKKO më 4 shkurt 2022.

Pas një seance maratonë GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.  Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Kronike Bode Habilajt