Blerim Troca, nga Dibra është arrestuar nga policia pasi prej 10 vitesh kërkohet nga Interpoli dhe Tims.
Mësohet se ai është arrestuar në Shijak ku qëndronte i fshehur prej 10 vitesh.
Troca ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar nga gjykata e Santa Maria në Itali për “marrëdhënie me dhunë me të mitur”.
Tashmë pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt shtetit italian, ku do të vuajë dënimin e vendosur nga togat e zeza në Itali.
Njoftimi i policisë:
Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 40-vjeçari i dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit me Interpol Tirana, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin drejtë Italisë, të shtetasit:
Blerim (Bekim) Troca, 40 vjeç, banues në Shijak, Durrës. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Santa Maria Capua, Itali, e ka dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejtë Italisë.