Aktualitet28 Korrik 2022, 13:37

I dënuar në Spanjë për trafik droge, SPAK i sekuestron pasuritë biznesmenit të ndërtimit, Anton Gjinaj

Shkruar nga Pamfleti
I dënuar në Spanjë për trafik droge, SPAK i sekuestron

Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e pasurisë së biznesmenit Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini), i cili pak javë më parë u transferua nga Madridi në Tiranë të vuajtur një dënim prej 8 vjet e 9 burgim të dhënë nga drejtësia spanjolle.

SPAK deklaron se pasuritë e sekuestruara në emër të biznesmenit dhe familjarëve të tij duhet se janë vendosur përmes aktivitetit të paligjshëm që është dënuar në Spanjë për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Mes pasurive të sekuestruara janë gjashtë biznese, në krye qëndron firma e ndërtimit “ALESIO – 2014” shpk. Truall mijëra metra dhe makina luksoze janë pasuritë e tjera që janë bllokuar nga SPAK deri në përfundim të hetimeve.

Aktualisht biznesmeni po e vuan dënimin në burgun e Reçit në Shkodër.

Kompania e ndërtimit “Alesio 2014”, në pronësi të Anton Gjinaj rezulton se ka përfituar rreth 1 miliardë lekë në tendera publikë në dy vitet e fundit.

Kompania “Alesio” është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në maj 2014. Deri në vitin 2018, ajo nuk ka qenë shumë aktive në tregun e ndërtimit në Shqipëri.

Por, më pas, kompania e Anton Gjinaj mori një hov të menjëhershëm, duke u shndërruar në një prej kompanive kryesore në ndërtimet shumë-katëshe në Tiranë.

Referuar të dhënave të Thesarit të Shtetit, kompania “Alesio 2014” ka përfituar, vetëm në periudhën 2019-2020, pagesa publike në vlerë 980 milionë lekë të vjetra.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin  pasuror nr.7, datë 26.05.2021, në ngarkim të shtetasit Anton (Pashuk) GJINAJ (Gjini), i biri i Ndue dhe i Prendë, i datëlindjes 08.04.1966, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.

Nga aktet e administruara rezulton se me vendimin Nr.9 të vitit 2010, të Gjykatës Provinciale të Alicante, me seli në Elce, Spanjë është deklaruar fajtor i pandehuri Pashuk Gjini dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim për vepren penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga verifikimet e kryera nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithëshme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasi Pashuk Gjini me datë 17.02.2011, ka bërë ndërrimin e emrit nga “Pashuk Gjini” në “Anton Gjinaj”.

Nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsinit dhe Krimit të Organizuar bazuar në nenet 3-7, 11, 12, 14 dhe 15  ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (i ndryshuar) është paraqitur kërkesë për sekuestrimin e pasurive të shtëtsit Anton (Pashuk) GJINAJ (Gjini).

Nga ana e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar  me vendimin nr.22 datë 27.07.2022, është vendosur :

Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Sot me datë 28.07.2022 nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë ekzekutimi i vendimit të sekuestros të dhënë nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Aktualitet #Anton Gjinaj SPAK