Kronike28 Shtator 2022, 17:12

I përfshirë në trafik emigrantësh, arrestohet nga policia DJ Cherry

Shkruar nga Pamfleti
I përfshirë në trafik emigrantësh, arrestohet nga policia DJ

DJ Cherry, i njohur për shumë qytetarët si pjesë e emisionit “Zonë e Lirë”, ka rënë në prangat e policisë. Uniformat blu kanë njoftuar sot se është arrestuar shtetasi Ardian Kola, 38-vjeç, pasi është përfshirë në trafik refugjatësh.

Sipas policisë, ai ishte në kërkim prej katër muajsh, pasi në muajin qershor nuk i është bindur urdhrit të policisë së Gjirokastrës dhe është larguar duke braktisur mjetin. Në makinë e tij ai ishte duke transportuar refugjatë nga Lindja e Mesme.

Njoftimi i Policisë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen e personave, të cilët janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, Tiranë, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin A. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ky shtetas më datë 19.06.2022, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas ka braktisur automjetin me të cilin dyshohet se po transportonte 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Kronike arrestohet chery policia