
I përfshirë në vrasjen e 19-vjeçarit në Selanik, shpallet në kërkim ndërkombëtar i riu shqiptar
Është shpallur në kërkim ndërkombëtar 20-vjeçari shqiptar Roxhers Demirazi, që akuzohet si bashkautor për vrasjen e 19-vjeçarit Alkis Kampanos në Selanik.
Sipas informacioneve, urdhër-arresti ndërkombëtar për të riun shqiptar që dyshohet se fshihet në vendin tonë, pas vrasjes brutalisht të Alkis Kampanos në Selanik nga një grup tifozësh, tashmë ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme në Shqipëri.
Raportohet se ka qenë ministria e Brendshme shqiptare që ka konfirmuar mbërritjen e urdhrit dhe tashmë ka nisur procesi hetimor për gjetjen dhe arrestimin e tij. Në fakt, hetimet kanë nisur nga pikat kufitare por për momentin nuk ka asnjë informacion se ku mund të ndodhet i kërkuari.
Ndërkohë që sot nisin seancat për 8 të arrestuar në gjykatën greke. Tre prej tyre sot do të kalojnë nëpër derën e hetuesve, ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë nesër (e enjte) dhe pritet të përfundojë të premten. 8 personat janë arrestuar të dielën pasi akuzohen si të përfshirë në vrasjen e Alkisit.
Një ditë më parë një tjetër person është dorëzuar pranë organeve të akuzës, i cili ishte identifikuar si i përfshirë në vrasjen e të riut grek dhe pritet të dalë para gjykatës.
Të gjithë të lartpërmendurit ndiqen penalisht për vrasje të përbashkët. Mes tyre janë tetë grekë dhe një shqiptar, 20 deri në 25 vjeç.