Aktualitet24 Gusht 2022, 19:20

I shoqi i rrezikon burgun, Monika Kryemadhi "dashnore" e drejtësisë, publikon certifikatën e Ilir Metës: Partia e Lirisë ka vendosur të ndihmojë SPAK!

Shkruar nga Pamfleti
I shoqi i rrezikon burgun, Monika Kryemadhi "dashnore" e

"Partia e Lirisë ka vendosur të ndihmojë SPAK", Monika Kryemadhi publikon certifikatën e Ilir Metës

Një tragji-komedi me përmasa groteske është ajo që po ndodh në familjen Meta-Kryemadhi tashmë që SPAK ka nisur një hetim penal për vendosjen në pranga të Ilir Metës, pasi akuzohet se gjatë kohës që ka qenë në pushtet ka përfituar para nëpërmjet korrupsionit dhe këto i ka përdorur për lobim. Të hutuar dhe gjendur në mënyrë të papritur përballë drejtësisë në prag të shtatorit – i paralajmëruar si muaj i begatë i “revolucionit” për rrëzimin e qeverisë – Partia e Lirisë e ka manifestuar vënien nën akuzë e Ilir Metës, me një mungesë të theksuar koherence në argumente.

Kemi parë fillimisht Ilir Metën, i cili tentoi të intimidonte Arben Krajën kur reagoi me tërbim duke e konsideruar kreun e SPAK “spurdhjak partie që i shërben mafies”. Megjithatë, retorika e ish-Presidentit do të ndryshonte 180 gradë, menjëherë pas deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila refuzoi të pranonte sulmet politike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

Mesazhi i Kim bëri që Ilir Meta të reflektonte në sjelljen e tij prej kaubojsi dhe të nxirrte Tedi Blushin të thoshte “dy fjalë” për të zbutur situatën. Ndërsa fajësoi Ramën – që me presionet e herë pas hershme ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe deklaratave se SPAK është krijesë e PS-së, përveçse po komprometonte funksionimin e drejtësisë së pavarur solli edhe “keqkuptimin” e mëhershëm të Metës – Blushi premtoi më tej se Partia e Lirisë do të bënte gjithçka për të ndihmuar dhe inkurajuar SPAK, duke i siguruar prova dhe dokumente të pakundërshtueshme për të vënë abuzuesit me taksat shqiptarëve para drejtësisë.

Zotim ky të cilin Monika Kryemadhi e vuri në zbatim duke publikuar në rrjetet sociale certifikatën personale të bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

“Partia e Lirisë ka vendosur ta ndihmojë SPAK-un. Që të mos i nxjerrë në punë me urdhër, që të firmosin shkresa të gatshme Endri Fuga, po ua mundësoj unë certifikatën personale të Ilir Metës, se si pamje e njihni edhe vetë. Do vazhdoj t’ju ndihmoj edhe për inceneratorët”- shkruan Kryemadhi, duke vënë në dukje se kjo bëhet për t’i ardhur në ndihmë SPAK, që sot kërkoi nga KQZ formularin e vetëdeklarimit të ish-Presidentit.

Por, pse ky qëndrim i dyjëzuar në radhët e Partisë së Lirisë? Kryetari sulmon gjithë pompozitet për të treguar forcën dhe moskokçarjen për çka ndodh, ndërsa vartësit bëjnë rolin e viktimës politike pasi shohin impaktin e kërcënimeve, duke deklaruar se SPAK komandohet nga Edi Rama?

Gjithçka është një iniciativë e çmendur për t’ia hedhur edhe kësaj here pa u lagur. Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv, vepër penale e cila bazuar në nenin 259 të Kodit Penal, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Si dhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, për të cilën dënimi është nga 3 deri në 7 vite burg.

Në kallëzimin penal të kryer ndaj çiftit Meta- Kryemadhi, thuhet se këta të fundit kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash. Si fakte, në kallëzim theksohet se Ilir Meta dhe LSI-ja (tashmë e shndërruar në Partinë e Lirisë) kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. Po ashtu, kallëzimit i janë bashkëngjitur kontrata e lobimit, raporti financiar i LSI në vitin 2017 si dhe deklaratat e pasurisë së Metës, Kryemadhit dhe Vasilit për vitin 2017. Ballafaqimi i këtyre dokumenteve implikon rëndë jo vetëm Ilir Metën, por edhe Petrit Vasilin dhe Monika Kryemadhin, e cila shtiret së fundmi si “dashnore” e drejtësisë.

Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar jo vetëm informacion mbi gjeneralitetet e Ilir Metës dhe ndryshimet e mundshme nga Drejtoria e Gjendjes Civile (pasi operon me dy mbiemra), por edhe një kopje të formularit të vetëdeklarimit të ish-Presidentit nga KQZ.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në funksion të procedimit penal Nr. 122, të vitit 2022. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kope të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Metaj (Meta)”, thuhej në kërkesën me firmën e Arben Krajës, që ka trubulluar ujërat në familjen Meta-Kryemadhi./ Pamfleti

Kryesore Ilir Meta Monika Kryemadhi Partia e Lirisë SPAK