Kronike18 Nëntor 2022, 10:10

I shpallur në kërkim nga Italia, arrestohet në Durrës 62-vjeçari me 4 emra

Shkruar nga Pamfleti
I shpallur në kërkim nga Italia, arrestohet në Durrës

Një 62 vjeçar i shpallur në kërkim nga Italia është arrestuar në Durrës. Bëhet fjalë për Mustafa Shullanin, banues në lagjen Nr. 7, i cili akuzohet për drogë. Shullani përdorte 4 identitete për t’i shpëtuar burgut.

“Finalizohet në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Koordinatat”.

I dënuar në Itali, me mbi 17 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Durrës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 62-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për kapjen e personave të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinatat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit:

– Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës.

Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, e ka dënuar 62-vjeçarin, me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga ligji penal italian. Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë apeli ka lëshuar për këtë shtetas, një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kronike Arrestim policia e Durrësit