Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim, është arrestuar nga policia në Kurbin në kuadër të operacionit të koduar “Sanxhaku”.
Personi i arrestuar është Kadri Kurtaj Imeri, banues në Sanxhak, Kurbin i cili akuzohej për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi më datë 14.08.2021, në qytet Laç, për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri E. P.(T) dhe më pas është larguar nga vendngjarja për në banesën e dajës së tij, A. K.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia për kapjen e 27 vjeçarit, në banesën e A. K., i cili u arrestua në flagrancë menjëherë pas ngjarjes më datën 14 gusht 2021, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se ishte arrma e përdorur për plagosjen e 25 vjeçarit me iniciale E.P.(T).
Gjithashtu, po në banesën e shtetasit A.K, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një armë tjetër e llojit pushkë, 8 kallëpe me lëndë plasëse tritol, fitil zjarrëpërcjellës, 70 kapsolla detonatore dhe 1.3 kg lëndë narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.