Kronike30 Janar 2023, 14:38

I vendosi tritol banesës së policit në Shkodër, gjykata lë në burg Dedë Nikën

Shkruar nga Pamfleti
I vendosi tritol banesës së policit në Shkodër, gjykata

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 33-vjeçarin Dedë Nika. Ky i fundit u arrestua nga policia ditën e shtunë, në kuadër të finalizimit të operacionit “Mesazhi”, ndërsa dyshohet se i ka vënë tritol banesës së një efektivi policie.

Policia e Shkodrës me arrestimin e tij zbardhi dy ngjarje të ndodhura në vitin 2020, ku u regjistrua një shpërthim me tritol në dy banesa në Shkodër. Këto ngjarje kanë ndodhur të dyja me datë katër janar, por Nika nuk ishte identifikuar dhe pas tre vitesh u bë i mundur arrestimi i tij. Ndaj 33-vjeçarit rëndon akuza për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese”, kryer në bashkëpunim. Policia po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Më datë 4 janar, tre vite më parë, 33-vjeçari i ka vendosur tritol banesës së oficerit të policisë së shtetit Prelë Milani. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45 në lagjen ‘Guerrile’ dhe nuk pati asnjë person të lënduar. Në atë kohë, polici Milani nuk ka qenë në banesë kur ka shpërthyer tritoli, por vetëm gruaja dhe vajza e tij. Milani ka dëshmuar në polici asokohe se nuk ka patur konflikte, por dyshonte se ky sulm i ka ardhur si pasojë e detyrës si shef stacioni policor.

Ndërkohë, një tjetër shpërthim me tritol është regjistruar pak pas mesnatës së datës 4 janar në Shkodër, që dyshohet se është vënë nga Nika. Tritoli i ishte vendosur banesës së Zef Bungasë në lagjen “Shtoj i Ri”.

Kronike Dedë Nika gjykata e Shkodrës