Futbollisti i njohur, Zlatan Ibrahimovic, është ngjitur në festivalin e “Sanremos” duke qenë se ai është një mysafir i festivalit italian të këngës.
Por natën e tretë të këtij festivali ndodhi e papritura për futbollistin pasi Ibrahimovic arriti pothuajse tri orë me vonesë.
Ai u ngjit gati pa frymë teksa kërkonte falje për vonesën. Futbollisti tregoi sapo mbërriti një ndodhi të pa besueshme:
“Më falni për vonesën, tani do t’ju tregoj se çfarë ka ndodhur. Pas tre orë qëndrimi në makinën time për shkak të një aksidenti, kam dalë nga makina dhe kam ndaluar një motoçiklist në rrugë. I kërkova që të më sjellë në Sanremo. Për fat të mirë ishte tifoz i Milanit. Bëri 60 kilometra për të më sjellë këtu dhe në fund më tha se ishte hera e parë që ngiste në autostradë. Ai duhet të shkonte në Livorno. Duhet ta falënderojmë sepse shpëtoi festivalin tim”, tha Zlatan.
Ndër të tjera, ai tha se i ka siguruar me prova që të gjitha.
“Kam dokumentuar gjithçka në video”, siguroi ai prezantuesin e festivalit.
Pas disa minutash, llogaria zyrtare e Rai-t në Twitter vendosi që ta publikojë atë.
Në atë video, vihet re qartë sulmuesi suedez më një motor, me helmetë në kokë dhe maskë në hundë.