Pakti i maskarenjve të politikës, si e shiti Edi Rama “Gërdecin” dhe “21 Janarin” dhe kush është garanti i marrëveshjes
Ish kryeministri hodhi në erë një fshat të tërë në Gërdec duke vrarë 26 të pafajshëm, urdhëroi Gardën të vrasë 4 demonstrues të opozitës më 21 janar 2011, zhduku 500 milionë euro përmes aferës CEZ-DIA, si dhe krime të tjera. Si morën përsipër kryeministri e presidenti aktual për të mos prekur ish kreun e PD. Mbetet të shohim, nëse drejtësia e re, SPAK, BKH e Gjykata e Posaçme do veprojnë në bazë të pakteve të këtyre maskarenjve të politikës, apo në bazë të paktit të bërë me ligjin do marrin në dorë dosjet e rënda të “peshqve të mëdhenj”
Ish kryeministri Sali Berisha, me krimet që ka bërë vetëm në 8 vitet e qeverisjes së dytë të PD duhej të ishte “strehuar” me kohë në burgun e sigurisë së lartë.
Ish ministri gjerman i Mbrojtjes, vetëm pse shkoi me avionin e dikasterit që drejtonte në Palma de Majorka për të festuar me të dashurën, dha dorëheqjen dhe u dënua me punë në komunitet.
Ndërsa Sali Berisha hodhi në erë Gërdecin duke shkaktuar 26 të vrarë dhe plagosur 300 të tjerë, vetëm për të përfituar familja e tij nga biznesi i demontimit të municioneve. Kishte vënë në dizpozicion tre ministri dhe këshilltarët e tij në kryeministri për ta ngritur këtë punishte vdekjeje.
Ish kryeministri, pavarësisht se të gjitha faktet të çonin në derën e tij të shtëpisë, shpëtoi pa i hyrë ferrë në këmbë. Madje fitoi zgjedhjet e radhës, duke e votuar edhe vetë Gërdeci. U dënuan në mënyrën më banale disa përgjegjës anësorë dhe jo autorët e vërtetë të masakrës shtetërore.
Bëri “21 janarin” ku Garda vrau katër demonstrues të opozitës me duar në xhepa përballë kryeministrisë, dhe Sali Berisha as si dëshmitar nuk është thirrur për të dhënë versionin e tij. Duhej të ishte në burg qoftë dhe duke marrë për bazë deklaratat e tij në media se ishte gati të vriste dhe 300 demonstrues, por s’do lejonte të kalohej gardhi i jashtëm i Kryeministrisë.
Nuk la vjedhje pa bërë, që nga afera e rëndë CEZ-DIA e deri tek koncesioni i markimit të karburanteve dhe lojrat financiare me biznesmenin serbo boshnjak Damir Fazlliç, dhe Berisha vijon të gëzojë paratë në liri. U deklarua se do të zbardhet dhe vrasja e zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, iu premtua djalit të tij Ardianit, dhe asgjë nuk u bë.
Është e vërtetë se drejtësia ka qënë e mbytur deri në grykë në korrupsion dhe në shkelje ligji, por jo deri aty sa të mos gjendej një prokuror dhe tre gjyqtarë të ndershëm në tërë turmën e këtyre maskarenjve të drejtësisë për ta çuar sëpaku Berishën përballë togave të zeza për të gjitha krimet.
E vërteta e kulluar është se Rama dhe Berisha kanë arritur një pakt mes tyre pas zgjedhjeve të vitit 2013 kur PD humbi thellë, ndërsa fitorja i “buzëqeshi” koalicionit PS-LSI.
Garanti i këtij pakti ka qënë Ilir Meta, presidenti aktual i cili gjatë gjithë kohës deklaron se “Berisha është pika ime e dobët”, “është amaneti im”.
Berisha me daljen e tij në opozitë ka marrë garanci nga Rama e Meta që zvarritet e degradohet dosja penale ndaj tij për “Gërdecin”, “21 janarin” dhe të mos dënohet për aferën 500 milionë euroshe të CEZ-DIA. Mundësisht familjarët e tij të mos përfshihen.
Ndërkohë që Berisha ka kërkuar që familjarisht të përfitojë statusin e të privilegjuarit si ish- kryeministër, ku të ketë shërbimet mbrojtëse të shtetit për jetën, dhe mbi të gjitha të evitohet cënimi i pasurisë së tij dhe familjes së tij. Kërcënimet e Hakalajve dhe familjarëve të Remzi Hoxhës se nëse nuk jep zgjidhje shteti do të veprohet me Kanun, e kanë frikësuar Berishën.
Tani mbetet të shohim, nëse drejtësia e re, SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata e Posaçme do të veprojnë në bazë të pakteve të këtyre maskarenjve të politikës, apo në bazë të paktit të bërë me ligjin e Kushtetutën, që të gjithë janë të barabartë para tyre. Deri më tani SPAK po bën goditje “anësore” të krimit dhe keqbërësve. Shpresojmë të jetë sa për “koalidim”, për të filluar më pas me dosjet e rënda të “peshqve të mëdhenj” të tranzicionit./Pamfleti