Politike26 Shtator 2022, 21:26

“Ilir Meta ka regjistruar shokun dhe ia ka dorëzuar Sigurimit”, Ermonela Felaj: Autoriteti i Dosjeve ka gjetur dokumentet

Shkruar nga Pamfleti
“Ilir Meta ka regjistruar shokun dhe ia ka dorëzuar Sigurimit”,

Nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, e shikon nismën ligjore që i heq pengesën Autoritetit të Dosjeve për të verifikuar nga e para të kaluarën e të zgjedhurve, si një detyrim të brezit të ri të politikanëve.

Mund të jetë me vonesë, por është një propozim që mbështetet nga një brez i ri politikanësh, të cilët nuk kanë pengje nga e shkuara. Prandaj, do të thosha, më mirë vonë se kurrë”. Ermonela Felaj shpjegon se standardi gjerman i ndjekur nga Autoriteti i Dosjeve për të verifikuar përfshirjen ose jo të dikujt me Sigurimin e Shtetit, e bën atë të besueshëm në vendimmarrje.  “Dokumentet e kohës jo domosdoshmërisht mund të jenë dokumente shkresorë. Mund të jenë filmime, mund të jenë regjistrime audio, mund të jenë fotografi. Gjithë ky informacion që mbahej tek Shërbimi Informativ Kombëtar, tek ish-Ministria e Punëve të Brendshme dhe tek Arkiva Shtetërore, është mbledhur nga Autoriteti i Dosjeve, i cili e ka procensuar atë sipas standardit gjerman. Pra, të gjitha këto e bëjnë një institucion të besueshëm”, thotë Felaj për emisionin “Pa Censurë në RTSH.

Duke theksuar se kushdo mund të çojë në gjykatë vendimin e Autoritetit, nënkryetarja e Parlamentit mendon se kjo duhet të ishte rruga që ish- presidenti duhet të kishte ndjekur për të sqaruar situatën e krijuar me dosjen që, sipas Autoritetit, i përket atij. Për herë të parë, Felaj tregon detaje nga dosja që Autoriteti ka sjellë në Kuvend për shtetasin I.M., dhe që presidenti e ka cilësuar të manipuluar.

Pjesë nga intervista

Elona Meço: E keni parë ju dosjen që ka sjellë Autoriteti për shtetasin I.M?

Ermonela Felaj: Provueshmërinë më të madhe këtij dyshimi ia ka dhënë vetë zoti Metaj me reagimin që ka mbajtur, sepse është reagimi i dikujt që ka një problem.

Elona Meço: Ai ka thënë që dosja është e manipuluar.

Ermonela Felaj: Nëse nuk do të kishte problem, do të kishte ndjekur rrugën normale. Të ishte interesuar pranë Autoritetit. Nëse ka momente që duhej kontestuar dhe provuar saktësia, t’i referohej autoritetit gjyqësor.

Elona Meço: Ai e ka ndërmarrë këtë rrugë me padinë ndaj Autoritetit.

Ermonela Felaj: Reagimi ka qenë agresiv. Ka qenë reagim prej fajtori

Elona Meço: Ky është instikti juaj prej prokuroreje, por ju e keni parë dosjen? Dua të kuptoj a ka prova të mjaftueshme që ai është zoti Metaj?

Ermonela Felaj: Qoftë për zotin Metaj, qoftë për zotin Meta, qoftë për çfarëdo zotërie tjetër me të njëjtin emër apo me emër të ndryshëm, ajo klauzola që shërbente si mburojë për të mos u ballafaquar me të kaluarën ka rënë dhe kjo është një gjë e mirë.

Elona Meço: Dhe çfarë thuhet në dosje? Ka një regjistrim për shtetasin I.M?

Ermonela Felaj: Nuk dua të dukem se po i shmangem pyetjes suaj, por nga ajo që është bërë publike, referenca është e qartë që zoti I.M ka shërbyer si spiun. Ka spiunuar një shok të klasës së vet përmes një përgjimi. Pra, ka regjistruar shokun e vet. Ky regjistrim është përdorur si shantazh për të rekrutuar personin tjetër. Këto dokumente janë gjetur nga Autoriteti i Dosjeve.

Politike Dosjet Felaj