Politike29 Tetor 2022, 12:15

Ilir Meta, ky "superpolitikan" që "predikon" lirinë, por mban "peng" partinë

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta, ky "superpolitikan" që "predikon"

Ilir Meta, ky “super-politikan” me moton “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë”, nuk ka zhgënjer ditën e sotme, teksa për ironi të fatit predikon lirinë ndërkohë që mban peng LSI-në (tashmë Parti e Lirisë), sikur të ishte pronë private, jo forcë politike me ide, program, statut ect.

Ai e ka nisur fjalën e mbajtur në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë me thënien e Papa Franceskut: “Liria nuk është e drejta për të bërë çfarë kemi dëshirë, por mundësia për të bërë gjënë e duhur”…

Sipas Metës, është e rëndësishme që të gjithë të punojnë dhe t’i japin shqiptarëve mundësitë e mohuara dhe lirinë e “grabitur” nga Rilindja.

“Papa Françesku ka thënë “Liria nuk është e drejta për të bërë çfarë kemi dëshirë, por mundësia për të bërë gjënë e duhur”… Prandaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë të gjithë së bashku të bëjmë gjënë e duhur për të mbrojtur lirinë e çdo qytetari dhe të shoqërisë tonë nga ‘burgosja’ e saj.

Partia e Lirisë është alternativa e shpresës për të zgjuar guximin qytetar dhe shpirtin e lirë dhe patriotik. Misioni ynë është tu japim shqiptarëve lirinë e grabitur dhe mundësitë e mohuara për të jetuar me dinjitet dhe të lirë në Atdheun e tyre.

Ndaj ne do të bëjmë çdo sakrificë për të ndaluar shpopullimin, këtë hemorragji që po vret vitalitetin, energjinë e Shqipërisë, të rinjtë dhe profesionistët, e që po kërcënon identitetin dhe të ardhmen e kombit dhe familjeve tona.

Sot, së pari qytetarët presin prej Partisë së Lirisë heqjen e prangave dhe shembjen e burgut ku po jetojnë. Ky është borxhi më i madh që u kemi qytetarëve qysh pas rrëzimit së diktaturës komuniste në fillim të viteve 90’…

Koha nuk pret më! Koha është tani, që Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë shqiptarëve. Ndaj Partia e Lirisë angazhohet solemnisht, ti japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit!” – tha Meta.

Politike Meta