Aktualitet 3 Qershor 2022, 12:00

Ilir Meta porositësi i vrasjes së vëllait të deputetit socialist? SPAK zbardh detaje mbi dëshminë e Nuredin Dumanit

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta porositësi i vrasjes së vëllait të deputetit

Foto Ilustruese

Një dëshmi e supozuar e penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, e cila akuzon Ilir Metën si porositësin e vrasjes së Aleksandër Ndokës, mund të tronditë themelet e politikës shqiptare por edhe të vetë shtetit. Pasi, nëse provohet të jetë e vërtetë, tregon se kryetari i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar, ka qenë pikërisht një person me precedentë të hershëm kriminal.

Pikërisht ky informacion kompromentues ka rrjedhur në emisionet e mbrëmjes së kësaj të premte, ku gazetari investigativ Artan Hoxha pretendon se Nuredin Dumani ka dëshmuar që presidenti Ilir Meta kishte udhëruar vrasjen e vëllait të deputetit socialist në qeverinë “Rama 1”.

Aleksandër Ndoka, anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës u vra në dhjetor të 2017 nga persona ende të paidentifikuar në afërsi të banesës së tij. Ndërkaq, vrasja dyshohej se ishte kryer për motive politike. Në këto terma, i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani pretendohet se ka dëshmuar që porositësi ishte Presidenti Ilir Meta – asokohe kryetar i LSI-së – pasi gjatë fushatës pati një sherr të fortë me Arben Ndokën në Lezhë.

Megjithatë, përmes një njoftimi zyrtar, SPAK ka kontestuar ashpër këtë deklaratë “të nxehtë”, duke e mohuar totalisht vërtetësinë e saj dhe bërë thirrje mediave të kenë kujdes.

““Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin  e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se: Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit)”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Posaçme.

Vlen të theksohet se, përpara se të rrëfehej për disa nga vrasjet më të bujshme në vend, Nuredin Dumani – një ndër emrat më të përfolur të botës së krimit që tashmë ka rënë në duart e drejtësisë – ka pohuar se para hetuesisë se: ‘po fola unë, do të duhet të hapni një burg të ri’.

Aktualitet Artan Hoxha Nuredin Dumani SPAK