Editorial27 Tetor 2022, 11:27

Ilir Meta, vegla më e suksesshme e Edi Ramës!

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Meta, vegla më e suksesshme e Edi Ramës!

Ilir Meta, për 4 vjet votoi çfarë donte Edi Rama, i cili i dha LSI-së më shumë pushtet se sa i kishte dhënë Sali Berisha. E kështu xhagajdurët e Metës ju futën shtetit për ta mjelë siç dinë ata. E kështu, me këtë babëzi abuzimi, i dha Edi Ramës një alibi për të vijuar korrupsionin e njerëzve të vet…

Ilir Meta që prej shtatorit 2021 akuzon Lulzim Bashën, e më pas Alibeajn e deputetët e tij, si njerëz të Edi Ramës. Akuzë që e përsërit përditë.

Gazmend Bardhi, në një intervistë televizive kishte shumë të drejtë kur ju kundërpërgjigj, duke thënë se në ka njeri që i ka shërbyer Edi Ramës, ky është Ilir Meta.

Në realitet, është më shumë se kaq. Ilir Meta ka qenë instrumenti apo vegla politike më e suksesshme që e ka ngritur kaq lart dhe e mban në pushtet Edi Ramën. E kjo jo tani, por që kur kryeministri aktual nisi udhëtimin e tij të gjatë drejt kupolës së pushtetit.

Edi Ramën, është e vërtetë që Fatos Nano e ka futur në rrjedhën politike duke e emëruar ministër të Kulturës në vitin 1998, por ishte Ilir Meta ai që i dha dorë në ngjitjen dhe fuqinë për të ecur më lart.

Pas largimit të Fatos Nanos nga kryeministër, ai shërbeu edhe në qeverinë e Pandeli Majkos si ministër Kulture, por miqësinë më të ngushtë e pati me Ilir Metën, të cilit ja ka shkruar thuajse pjesën më të madhe të fjalimeve, sidomos kur Iliri u bë kryeministër i vendit. Madje fryrjen e Metës si tullumbac politik për të luftuar Nanon, e ka bërë mjeshtërisht e me djallëzi Edi Rama.

E këtë e ka deklaruar vetë Fatos Nano në një intervistë të disa viteve më parë, kur foli për një pakt 10-vjeçar mes Ramës dhe Metës për të bashkëpunuar e për të marrë pushtetin.

Kur Fatos Nano largoi Ilir Metën nga Partia Socialiste, si dhe e squlli Edi Ramën, ky i fundit, e mori PS-në me alibinë se sa të vinte në krye të partisë do të bashkonte të majtën shqiptare, duke u afruar me Ilir Metën. Bashkim që ndodhi në vitin 2006, kur Ilir Meta u rikthye për herë të parë në selinë e PS-së, pasi kishte rrëzuar Fatos Nanon në vitin 2005. Edi Rama, mbajti bashkinë e Tiranës dhe fitoi në disa bashki kryesore në vend në zgjedhjet lokale të 2007-s, duke shënuar edhe triumfin e parë si kryetar i PS-së.

Ikja e Ilir Metës në koalicion me Sali Berishën, i dha Edi Ramës mundësinë që të konsolidonte pushtetin e tij në krye të Partisë Socialiste, si dhe të shtronte rrugën për të ardhur në krye të qeverisë.

Korrupsioni i Ilir Metës, urrejtja popullore ndaj tij, klani që përkrahu, por edhe partia e tij klienteliste, bëri që shumë elemente nga shoqëria, që nuk kishin origjinë dhe vokacion të majtë, të shkonin drejt Edi Ramës si mundësi për ndryshime në vend.

Mirëpo, Rama, edhe pse e vizatoi Ilir Metën si djalli aleat i Sali Berishës; në vitin 2013, zgjodhi të bëjë koalicion me Ilir Metën, nga frika se nuk vjen ndryshe në pushtet. Duke bërë kështu që të rrëzohet që në fillim një ngrehinë morale që Rama ndërtoi për vite.

Edi Rama e dinte se mund të vinte në pushtet edhe pa Ilir Metën, por atij i duheshin 84 vota për të bërë ndryshime kushtetuese që rrisnin pushtetin e tij.

Kështu Ilir Meta, për 4 vjet votoi çfarë donte Edi Rama, i cili i dha LSI-së më shumë pushtet se sa i kishte dhënë Sali Berisha. E kështu xhagajdurët e Metës ju futën shtetit për ta mjelë siç dinë ata. E kështu, me këtë babëzi abuzimi, i dha Edi Ramës një alibi për të vijuar korrupsionin e njerëzve të vet. Edhe këtë, pra në imazh, babëzia e Metës i shërbeu shumë Edi Ramës, për të thënë te ndërkombëtarët se ai është i rrethuar nga të korruptuar. E nga ana tjetër nxiste Metën për të bërë si i çmendur që ta përdorte si majmuni Hirko në cirkun e tij mediatik e politik.

Më pas e bëri President, si një “sakrificë” për t’i dhënë pushtet opozitës. E me djallëzi shtroi rrugën drejt mandatit të tretë, edhe për faj të opozitës, e cila ra në lojën e Edi Ramës, duke u identifikuar me Ilir Metën si figurë e saj. Mbështetësit kaqolë mediatikë të opozitës në televizione mbrojtën Ilir Metën, duke përforcuar kështu fabulën diabolike të qepur me kujdes nga mjeshtrit e imazhit të Edi Ramës. Që janë ustallarë të nivelit të lartë: Tony Blair apo Alaistair Cambell.

E kështu ata qepën një strategji, ku ngritën një çark, e ky Likja i roitur ra brenda si një trumcak në Dibër, kur i afrohet rrjetës së ngritur sipër ca thërrime buke. Historia më pas dihet, pasi e përdori si gogol në zgjedhjet e 25 prillit, Edi Rama mori mandatin e tretë, e si një “killer politik”, në fund ngriti shkopin për të vrarë trumcakun që zuri me bat.

Natyrisht Ilir Meta nuk ka kuptuar asgjë, pasi ka qenë gjithë kohën një politikan autodidakt që ka vepruar gjithmonë i papërgatitur e i mpirë ose nga frika ose nga epshi i pasurisë, apo nga avujt e alkoolit që e ka rrufitur për të mundur frikën. E me të gjitha këto ai ka shërbyer si vegla politike apo majmuni i cirkut politik të Edi Ramës, që të hutojë publikun, ndërsa bën truet e manipulimet nga ana tjetër… / Pamfleti

Editorial aleanca Meta Rama