Editorial12 Gusht 2022, 14:37

 Ilir, paske pi i çik, o jetë...!

Shkruar nga Pamfleti
 Ilir, paske pi i çik, o jetë...!

 Ilir, paske pi i çik, o jetë...!

Ky skraparlliu që deri dje i thurte lavde Skraparit, pa pritur e pa kujtuar na doli tironc i vjetër. Çun rruge madje. Ashtu si e shpjegoi Iliri, Pazari i Ri dukej si të ish Bronxi i Nju Jorkut, me grupe lacash që dalin e rrihen për qejf…

Ka një shprehje të bukur shqiptare që i vjen fort për shtat Ilir Metës. I thonë, “si të mban dheu”? Kështu duhet të nisë ligjërata, kur vjen puna tek Ilir Meta, si të mban dheu o njeri?!

Ishte tërbuar dje Ilir Meta. Doli meidanit,  i rrethuar nga 10 vetë, e pasi i kishte fut nja dy dopjo,  i dukej vetja cubi i Pazarit të Ri. Muhabet lacash.  Muhabet trimash, sipas Ilirit.

Doli, e me atë të vetën, kërcënoi Edi Ramën. I tha, “të thyej në mes”.

“Unë i bie më të fortit, tha Iliri, nuk merrem me të tjerët”.

Ama nëse kishte diçka që binte në sy në këtë dalje të fundit të kryetarit të partisë së vjetër, por me emër të ri për t’iu shpëtuar borxhlinjve dhe shkeljeve të ligjit, ishte që ai ishte i tërbuar. Prandaj Iliri kishte dalë nga kontrolli, siç edhe shumë herë të tjera këta muajt e fundit, dhe doli e bëri muhabete të formës. Me fantazinë e vet, Iliri e theu Ramën, në mes.

Qesharake e për të qarë në të njëjtën kohë. Sepse e vërteta është që një natë më parë Ilirit i ka vajtur fjala nga Kryeministri i Shqipërisë se lëvizja e radhës në shahun politik është burgosja e tij. Edi Rama ia ka përgatitur dosjen e tani që Iliri ka filluar të bilbilosë është gati ta bëjë publike e ta nisë në SPAK. Nëpër korridoret e Kryeministrisë thuhet se Rama- i njohur për të burgosur njerëz të afërm të tij, mendoni kundërshtarë – është betuar që Ilir Metën do ta çojë në burg. Përndryshe nuk shpëton dot prej tij. Edi Rama i druhet Ilir Metës dhe fuqizimit të tij, pas përfundimit të mandatit të Presidentit. Ajo shashka e dosjes së spiunit ishte vetëm fillimi. Rama ka kohë që po punon për këtë ditë. Dhe si mazokist e narcist që është, ai po luan si macja me miun, i ka çuar fjalë kundërshtarit të tij.

Së pari, për tu argëtuar dhe së dyti për ta nxjerrë jashtë kontrollit.

Si gjithmone Rama ka goditur në shenjë. Tani që ia thotë edhe gotës së rakisë, Ilir Meta del shpejt nga kontrolli.

Kjo ishte arsyeja e asaj konferencës për shtyp ku Iliri doli e tha si ishte “çun i Pazarit të Ri”. Ky skraparlliu që deri dje i thurte lavde Skraparit, pa pritur e pa kujtuar na doli tironc i vjetër. Çun rruge madje. Ashtu si e shpjegoi Iliri, Pazari i Ri dukej si të ish Bronxi i Nju Jorkut, me grupe lacash që dalin e rrihen për qejf.

Ilir, kishe pi i çik si shumë dje, o çun Skrapari.  Mbaje o çik dorën e  bëhu burrë. Në do ta dish të vërtetën, ti – e bashke me ty edhe Rama, Sala e plot të tjerë, – në burg e keni vendin. Ka kohë që jeni bërë për aty. Burgosja juaj është e vonuar madje. Prandaj pi edhe ca gota këto ditë që je ende i lirë sepse kur të shkosh pas hekurave, me aq shumë gjynahe sa ke, do të jetë e vështirë me të sjell shishe rakie Skrapari nën dorë./Pamfleti

Editorial #o jetë...! #paske pi i çik Ilir