Kronike 5 Maj 2022, 11:12

Ilvi Meta ndërroi jetë në komisariat/ Hetimet paraprake: U vetëvar me lidhësen e kapuçit të bluzës, nuk ka shenja dhune

Shkruar nga Pamfleti

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka konfirmuar sot se 31-vjeçari Ilvi Meta është vetëvrarë në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë. Sipas ekspertizës, në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune.Sipas AMP-së, “shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen nën kontroll në Ilvi Metës, gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet duke shpërdoruar detyrën dhe si pasojë janë arrestuar tre punonjës policie.

Të arrestuar janë: Bexhet Berberi me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme, Rushit Kola me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë dhe Petrit Brahimaj me detyrë Specialist i sallës së komandimit.

NJOFTIMI:

Në vijim të komunikimit për ngjarjen e ndodhur me datën 04.05.2022 në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku është gjetur i vdekur shtetasi I.M., Drejtoria Rajonale e AMP Durrës-Kavajë ka përfunduar hetimet paraprake nga ku ka rezultuar si vijon: Më datë 04.05.2022, rreth orës 19:00, në dhomat e sigurisë/ndalimit/arrestimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë, shtetasi i arrestuar I.M., 31 vjeç, ka kryer vetëvrasje duke përdorur lidhësen e kapuçit të bluzës që mbante veshur, duke gjetur më pas dhe vdekjen.Nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë është bërë këqyrja e viktimës nga ku ka rezultuar se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen në kontroll të shtetasit I. M. gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar/ndaluar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Procedura Standarde “Trajtimi dhe sigurimi i personave të arrestuar/ndaluar në ambientet e Policisë së Shtetit, evidentimi dhe zgjidhja e kërkesë/ankesave të tyre” miratuar me Urdhër nr.925, datë 19.07.2019 të DPPSH. Pas marrjes dhe vlerësimit të provave në kuadër të këtij hetimi dyshohet se këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë shpërdoruar detyrën, duke mos marre masa për parandalimin e ngjarjes. Në përfundim të hetimeve paraprake, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale e AMP-së Durrës-Kavajë) ka arrestuar në flagrancë 3 punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal e konkretisht: 1. Nënkomisar P. B., me detyrë Specialist i sallës së komandimit, në Komisariatin e Policisë Kavajë; 2. Inspektor B. B., me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kavajë; 3. Inspektor R. K., me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë pranë Komisariatit të Policisë Kavajë.


smile

Kronike #Ilvi Meta #Kavajë Hetimet