Aktualitet16 Nëntor 2022, 11:39

Inceneratorët/ BKH bastis disa shtëpi, arrestohet Arben Dervishi; 5 zyrtarë dyshohet se janë arratisur

Shkruar nga Pamfleti
Inceneratorët/ BKH bastis disa shtëpi, arrestohet Arben Dervishi; 5

Byroja Kombëtare e Hetimit, e shoqëruar nga efektivë të policisë, ka bastisur disa shtëpi në Tiranë dhe Fier, për të ekzekutuar 11 urdhër-arrestet e lëshuara për aferën me inceneratorët.

SPAK ka urdhëruar sot arrestimin e 11 personave për inceneratorin e Fierit, por mësohet se janë ekzekutuar vetëm 5 urdhër-arreste, ndërsa 6 emra të tjerë nuk gjenden. Sipas raportimeve paraprake, 5 prej tyre dyshohet se kanë ikur jashtë shtetit. Pra duket se po përsëritet i njëjti skenar si në valën e parë të arrestimeve. Në qeli përfunduan vetëm një pjesë e emrave të zhytur në afera, pasi ata që janë të përfshirë u zhdukën. Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk u arrestuan dot nga polica.

Ndërkohë mësohet se mes emrave që kanë rënë në pranga sot është dhe zv/presidenti i FSHF, Arben Dervishaj. Dyshimet janë se Dervishaj ka përfituar mbi 740 mijë dollarë ose 744 milionë lekë të vjetra për konsulencën e dhënë për inceneratorët. Sipas raportimeve të mëparshme paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit.

Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra. Për të qenë më të saktë, firma “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k. për konsulencë. Pronari i shoqërisë ‘Ave Consulting’ sh.p.k. është Arben Dervishaj.

Po ashtu sipas burimeve urdhër arresti është lëshuar edhe për Mirel Mërtirin. Ky i fundit vijon të jetë në arrati, pasi SPAK urdhëroi arrestimin e tij që në muajin mars, por ai nuk gjendet. Duket se tani ka një tjetër urdhër arresti për të.

Por kush është Mirel Mërtiri, i njohur dhe si Klodian Mërtiri?

Në nëntor të vitit 2020, në disa media vendase, u publikuan materiale, të cilat vinin nga raportimet e mediave në Zimbabve, për një skandal në këtë vend, i lidhur me një tender 60 milion dollarë. Skandal ky që shkoi deri te INTERPOL, në Hungari dhe në Itali.

Personi i akuzuar ishte Mirel Mërtiri, apo Klodian Mërtiri, por ky i fundit bëri një deklaratë duke thënë se publikimet në Shqipëri janë bërë me qëllim për t’i prishur atij reputacionin dhe imazhin dhe se ai nuk është shtetasi Ilir Dedja, për të cilin shkruanin mediat në Zimbabve.

Shumë akuza janë ngritur ndaj Mirelit, në lidhje me korrupsionin dhe akuzat për inceneratorët. Korrupsion, i cili fillon me inceneratorin e Elbasanit, ku bashkëshortja e Mirel Mërtirit ka qenë aksionere.

Inceneratori në fjalë u mor me një kontratë 22 milion euro nga qeveria shqiptare, kjo kontratë çohet në bankë, dhe më pas me lekët e shtetit ndërtohet inceneratori, duke e çuar direkt kontratën më pas edhe tek shtetasi italian Ernesto Granelli, i cili për vetëm 15 milion euro ndërton me çelësa në dorë, inceneratorin e Elbasanit.

Aktualitet arben dervishi Arrestime SPAK

Aktualitet