Politike22 Gusht 2022, 16:33

“Inceneratorët” ende e pa zgjidhur, Rithemelimi fajëson shtetin: SPAK dhe Policia ndëshkojnë të mjerët e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
“Inceneratorët” ende e pa zgjidhur, Rithemelimi fajëson

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat foli për inceneratorët duke theksuar se ai i Tiranës është një nga rastet më flagrante.

Këlliçi u shpreh se qeveria dhe policia ndëshkojnë të mjerët e Shqipërisë duke dënuar ata për çështje minimale.
Sipas deputetit të PD, Zoto, Mërtiri dhe Gugallja shpërblehen me 80 mijë euro në ditë dhe SPAK nuk bënë asgjë.

Në emër të Rithemelimit, Këlliçi i është drejtuar publikisht me 5 pyetje gjithë mekanizmit shtetëror për mosveprimin e drejtësisë për çështjen e inceneratorëve.

E. Ç. një 42 vjeçar nga Kukësi, u arrestua në shtator 2015 pasi transportonte disa viça për të cilët nuk kishte faturë tatimore. Berberi T. H., nga Tirana, po në shtator 2015, u arrestua se nuk lëshonte kupon tatimor pasi qethte apo rruante klientët.

Në disa qindra raste qytetarët shqiptarë janë arrestuar apo ndëshkuar për ‘mustaqet e Çelos’, pra për shkelje minimale.

Po i vodhe shtetit të Rilindjes 10 lekë për një qethje, të hedhin prangat, po përfitove qindra miliona euro nuk të gjen gjë, dhe drejtësia vepron ‘kur të qethen viçat’.

Ky është standardi i Edi Ramës së inceneratorëve dhe drejtësisë së reformuar, e cila me polici kap gjithë të mjerët e Shqipërisë, kurse me SPAK nuk kap asgjë.

Nëse doni një shembull, arrogant e flagrant bashkë, keni inceneratorin e Tiranës.

Edhe pse kompania Integrated “Technology Services” ka ‘qethur e rruar’ qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Madje Zoto-Mërtiri-Gugallja shpërblehen për këtë vjedhje me 80 mijë euro në ditë.

Ne jemi të habitur me këtë standard dhe duam të bëjmë 5 pyetje të thjeshta dhe sqaruese:

1. Kur burgoset berberi se qethi pa TVSh, po ‘berberët’ që rruajnë miliona dhe sekserët që lëvizin paratë e Edi Ramës, pse nuk preken?
2. Kush po i mbron dhe kush i jep garanci Zotos – Gugalles – Mërtirit?
3. Kush vijon t’u çojë milionat në arrati
4. Pse kështu, kur dihet që inceneratori, për të cilën janë dhënë paratë, nuk ekziston?
5. A mund të ketë arsye tjetër përveç faktit se ndajnë paratë bashkë?

Ky është standardi dhe rekordi në padrejtësi i qeverisë Rama.

Drejtësia duhet të bënte detyrën, duke u dëshmuar shqiptarëve se korrupsioni ndëshkohet, si kur e bën berberi i lagjes, ashtu edhe shpura e kryeministrit”, u shpreh Këlliçi.

Politike deklaratë inceneratorët kellici