Aktualitet30 Maj 2018, 07:21

Indiferenca e njerëzve, armiku i vërtetë i PD-së

Shkruar nga Pamfleti
Indiferenca e njerëzve, armiku i vërtetë i PD-së

Indiferenca e njerëzve, armiku i vërtetë i PD-së

Ndërkohë, kauza e krimit është e tejlodhur nga ana e politikanëve, për shkak se të dy anët e politikës shqiptare kanë qasje të afërt me të dhe nuk mund të bëjnë pa të. Por përqafimi i saj, si në rastin e Opozitës, po tregon një nga kartat në advancë me të cilat ajo do të luftoj fort në zgjedhjet e ardhshme, kundër kundërshtarëve që janë sot në Pozitë.

Shkruan Ben Andoni

Për shumicën e njerëzve që kanë analizuar ngjarjet e fundit, protesta e fundjavës është matur me numrin e njerëzve, që ishin mobilizuar për t’i dhënë asaj fizionominë e premtuar. Një element tjetër ka qenë si u arrit te shuarja normale e saj dhe te mos përshkallëzimi i dhunës.

Gjatë ditëve përgatitore, skifterë të vegjël nga Opozita, kanë parathënë një frymë dhune dhe kanë përsëritur gabimin e viteve të fundit duke përcaktuar me siguri maksimale afatet e hedhjes poshtë të qeverisë. Si zakonisht, kjo s’ka ndodhur dhe ashtu si rrodhën gjërat, kjo e fundit ka gjetur me cinizëm të gjitha mekanizmat për të evidentuar gjërat e shuma që çaluan në këtë protestë…

Në fakt, protesta, megjithë numrin jo aq të madh të pjesëmarrësve (referuar me parashikimin), organizimin e pamjaftueshëm, bjerrjen e fuqisë së PD-së në rrethe, ka treguar se në këtë nivel, ky formacion (dhe aleatët e saj), që ende nuk po matarohet si duhet, ka mundur të menaxhojë kontrollin e situatës, por ndërkohë edhe të realizoj një protestë në një kohë aspak të favorshme.

E quajmë të pafavorshme sepse bëhet pak javë para se Shqipëria të kaloj një nga provat më të vështira të dekadës së fundit, atë që lidhet me hapjen e negociatave dhe duket se e gjithë vëmendja e publikut është në këtë afat.

Ndërkohë, kauza e krimit është e tejlodhur nga ana e politikanëve, për shkak se të dy anët e politikës shqiptare kanë qasje të afërt me të dhe nuk mund të bëjnë pa të. Por përqafimi i saj, si në rastin e Opozitës, po tregon një nga kartat në advancë me të cilat ajo do të luftoj fort në zgjedhjet e ardhshme, kundër kundërshtarëve që janë sot në Pozitë.

Gjithsesi, PD-ja dhe aleatët e saj, kanë një barrierë të madhe përpara. Kundërshtari i tyre nuk është më PS-ja, por indiferenca dhe stereotipi i tyre, që afron shumë me atë të politikës së vjetër te publiku shqiptar. Në masë, ka të ngjarë, që ai komunitet i madh i cili nuk votoi të bëhet shumë më tepër sesa në zgjedhjet e fundit dhe të mos i japë asnjë mundësi partive politike shqiptare.

Ky zë mungoi në protestën e fundit, pasi PD-ja në amalgamën e thirrjeve për krimin harroi se shqiptarët problemin më të madh se kanë aq shumë me krimin, që tashmë është institucion i patundshëm, por me varfërinë skajore dhe humbjen e shpresës.

Këto të fundit nuk po mundet t’i rrokë si duhet dhe të investohet PD-ja, sepse zhurma dhe publiku që bërtet bëhet më shumë me kauza që bëjnë zallamahi si këto të Tahirit dhe Xhafajt dhe jo varfëria me të cilën përballet shqiptari dhe për të cilën…askush nuk di si ta zhdukë.

Ndaj, për fat të keq, armiku më i madh i PD-së është indiferenca e njerëzve, të cilëve nuk u dëgjohet zëri dhe me gjasë nuk do t’u dëgjohet edhe në të ardhmen. Mu ata që nuk duan të votojnë për askënd dhe zgjasin këtë gjendje të vendit…duke mos shkuar të votojnë. 

Forum Ben Andoni Partia Demokratike