Ekonomi 6 Korrik 2022, 15:55

Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë rrit për herë të dytë normën e interesit; e çon në 1.25%

Shkruar nga Pamfleti
Inflacioni i lartë, Banka e Shqipërisë rrit për herë

Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë për herë të dytë brenda pak muajsh normën bazë, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, që është në nivelet më të larta të 20 viteve të fundit.

Sipas burimeve nga banka, norma bazë është rritur me 0.25 pikë përqindje në 1.25%. Ky është vendimi i dytë pas marsit, ku norma bazë u rrit nga 0.5 në 1%. Në mars u shënua dhe kthesa e parë e politikës monetare nga kahu lehtësues, – tendencë që kishte nisur që nga marsi i vitit 2011- , në atë shtrëngues.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë pritet të njoftojë rritjen e interesave, më vonë gjatë konferencës për shtyp.

Objektivi kryesor i bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Instrumenti kryesor që ka banka për të realizuar këtë objektiv është norma bazë, përmes rritjes së të cilës institucioni monetar qendror përpiqet të ngadalësojë huamarrjen dhe si rrjedhojë konsumin si dhe të nxisë kursimet drejt bankave përmes normave më të larta të interesit të depozitave. Këto duhet, të paktën teorikisht, të ulin presionet inflacioniste në një ekonomi.

Në vendimin e marsit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se goditja inflacioniste që ka shkaktuar sulmi i Rusisë në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeskionet e mëparshme. “Rikalibrimi i qëndrimit të politikës monetare synon të minimizojë pasojat që goditja e çmimeve do të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë”, ka pohuar më herët guvernatori i Bankës, Gent Sejko.

Në muajin maj të këtij viti, inflacioni arriti në 6.7, niveli më i lartë në 20 vjet, si rrjedhojë e pasojave që ka sjellë në tregje lufta në Ukrainë.

Banka e Shqipërisë ka konstatuar se ecuria e inflacionit në Shqipëri gjatë muajve të fundit është ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, të naftës, dhe të kostove të prodhimit e të transportit.

Rritja e çmimeve kishte filluar që në gjysmën e dytë të vitit 2021, e ndikuar nga problemet që u shkaktuan në zinxhirin e furnizimeve gjatë pandemisë. Ndërsa pritej që rritja të ishte e përkohshme, sulmet e Rurisë ndaj Ukrainës e përkeqësuan më tej këtë tendencë globale. Në qershor, inflacioni në Bashkimin Europian, arriti një tjetër rekord prej 8.6%. Rritja e tij pritet të ndikojë negativisht dhe në inflacionin e brendshëm, teksa më shumë se 50% e tij vjen nga inflacioni i importuar. /Monitor

Ekonomi bsh inflacioni norma e interesit