Bota 3 Tetor 2022, 11:36

Inflacioni i lirës turke, më i larti në 24 vitet e fundit

Shkruar nga Pamfleti
Inflacioni i lirës turke, më i larti në 24 vitet e fundit

Inflacioni i lirës turke, më i larti në 24 vitet e fundit

Inflacioni vjetor në Turqi ka arritur në 83.5 për qind – shkalla më e lartë në 24 vjetët e fundit.

Kjo situatë ka goditur konsumatorët që po përballen me çmime të larta të energjisë dhe produkteve ushqimore. Instituti turk i Statistikave ka thënë se çmimet për konsumatorët janë rritur për 3.08 për qind për dallim nga muaji i kaluar.

Ekspertët besojnë se inflacioni është më i lartë sesa paraqitet në statistikat zyrtare.

Grupi i pavarur për Kërkime rreth Inflacionit ka thënë të hënën se inflacioni në Turqi ka shkuar në 186.27 për qind. Banka Qendrore e Turqisë ka zvogëluar edhe një herë normën e interesit, pavarësisht rritjes së çmimeve.

Lira turke ka humbur më shumë se 50 për qind të vlerës që ka kundrejt dollarit amerikan prej kur Banka Qendrore e Turqisë ka nisur t’i ulë normat e interesit vitin e kaluar. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe rënia e vlerës së lirës kanë nxitur inflacionin në këtë shtet.

Ekonomistët besojnë se në rritjen e inflacionit në Turqi kanë ndikuar edhe politikat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili beson se ulja e normës së interesit ndikon në ulje të çmimeve, ndonëse teoritë ekonomike flasin për qasje të kundërt. Bankat qendrore në shumë vende të botës, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë rritur së fundi normat e interesit me qëllim të luftimit të inflacionit./REL

Bota inflacioni Lira turke