
Shtetasi Italian Davide Pecorelli, i cili u bë super i famshëm në Shqipëri për shkak se sajoi vdekjen e tij është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Pas kërkesës së prokurorisë, gjykata ka miratuar një mandat arresti për të.
Në përfundim të hetimeve, ndaj tij janë ngritur katër akuza, ndërkohë që në hetim janë edhe dy bashkëpunëtorët që e kanë ndihmuar në sajimin e ngjarjes. Hetimet po zhvillohen për akuzën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, “Kallëzimit të rremë”, “Kalimit të paligjshëm të kufirit Shqiptar” dhe “Ushtrimi i veprimtarisë tregtare pa licensë”.
Prokuroria e Pukës i komunikon akuzën nëpërmjet letër porosisë dhe i kërkon polices ta arrestojë menjëherë në momentin që ai do të paraqitej në Shqipëri. Ne përfundim të gjykimit dhe në rast se Pecorreli do të dënohet atëherë do të kërkohet ekstradimi i tij nga Italia që të vuaj dënimin në Shqipëri.
Si ndodhi ngjarja ?
Davide Pecorelli u shpall i humbur në janar të 2021 në Pukë, ku u gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. Teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe ‘historinë’ se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. “Po kërkoja një thesar” tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.
Me intinerarin nga Rinasi drejt Shkodrës e më pas në Pukë ai humbi gjurmët duke djegur brenda automjetit një skelet të cilin rezulton se e ka marrë duke dëmtuar një varrë në varrezat e Pukës. Për disa javë ky u bë lajmi që shqetësoi hetuesit mes Italisë e Shqipërisë ku një grup i posaçëm zbarkoi në Pukë. Por teksa hetimet ishin në vijim, rezultoi se eshtrat e gjetura në automjetin e djegur model skoda i përkisnin një tjetër AND-je dhe jo pemës gjenetike të familjes Pecorelli.
Ai u paraqit disa javë pasi inskenoi këtë zhdukje në policinë italiane e cila e gjeti atë në bordin e një varke duke shkuar drejt ishullit “Monte Cristo” ku ai pretendonte se kishte zbuluar një thesar antik. Ndërsa hetimet zbuluan se të gjithë këtë skemë ai e kishte përgatitur për t’iu shmangur borxheve që kishte nga biznesi i parukerisë dhe modës në Itali. Pecorelli rezulton se kishte edhe një bashkëshorte shqiptare e cila asnjëherë nuk pranoi të flasë për mediat për arsyen e zhdukjes së bashkëshortit që kishte disa hyrje dalje në Shqipëri dhe ndalesa në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Pukë.
Në Itali ai jeton i lirë dhe para pak kohësh tha se është i gatshëm që të kthehet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë për skenarin e realizuar si në filma, të vdekjes së sajuar të tij për t’i shpëtuar borxheve si pasojë e falimentit në biznese.