
Inteligjenca britanike jep alarmin: Këtë të premte Putin do shpallë pjesë të Rusisë zonat e pushtuara në Ukrainë
Ministria britanike e mbrojtjes ka publikuar përditësimin e saj të fundit mbi situatën në terren në Ukrainë.
Sipas saj, Vladimir Putin pritet t’i drejtohet të dy dhomave të parlamentit rus më 30 shtator, këtë të premte, shkruan The Guardian.
“Ekziston një mundësi reale që Putini të përdorë fjalimin e tij për të shpallur zyrtarisht pranimin e rajoneve të okupuara të Ukrainës në Federatën Ruse”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
“Referendumet që po zhvillohen aktualisht brenda këtyre territoreve janë planifikuar të përfundojnë më 27 shtator”.
Ato po zhvillohen në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia.