Armando Broja, ylli kuqezi, mbetet një emër fiks në tregun e transferimeve, teksa për të interesohet gjysma e Premier Ligës, ku në garë janë klube si Uest Hemi, Evertoni, Njukasëlli etj, gjithashtu i shumë pëlqyer edhe në Serinë A, por në mendjen e tij për momentin ekziston vetëm Çelsi. Bomberi kuqezi është rikthyer në shtëpi, në Londër, dhe nuk humbet asnjë minutë, teksa në pritje të grumbullimit më blutë vijon stërvitjen individuale.
Me fanelën e Çelsit, Broja “bombardon” portën, duke treguar edhe një herë se ka një saktësi mbresëlënëse, e njeh shumë mirë kuadratin. Edhe trajneri Tuhel po insiston që ta ketë në dispozicion gjatë fazës përgatitore për të parë nga pranë zhvillimin e tij, vetëm pas kësaj periudhe do të merret një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Legjionarët kuqezi janë në qendër të merkatos këtë verë, pasi mbetet e gjitha për t’u përcaktuar edhe e ardhmja e Tomas Strakoshës. Gardiani kuqezi i dha lamtumirën Lacios pas 10-vitesh, por ndryshe nga sa pritej, ende nuk ka firmosur për asnjë skuadër. Kaq ka mjaftuar që mediat italiane të flasin për një rikthim të bujshëm në kryeqytet, pasi as Lacio ende nuk ka gjetur një zëvendësues për gardianin kuqezi.