Sport 4 Tetor 2022, 23:07

Interi fundos Barçën me Çalhanoglu, Napoli “luan tenis” me Ajaksin, Liverpuli bën detyrën në shtëpi, befasohet Atletiko

Shkruar nga Pamfleti
Interi fundos Barçën me Çalhanoglu, Napoli “luan

Interi fundos Barçën me Çalhanoglu, Napoli “luan tenis” me Ajaksin, Liverpuli bën detyrën në shtëpi, befasohet Atletiko

Sonte u luajtën disa nga ndeshjet e raundit të 3 të fazës së grupeve të Champions League.

Interi mori 3 pikë ndaj Barcelonës në “San Siro”, pasi triumfoi minimalisht 1-0.Nënkampionët e Italisë e nisën “zjarr” takimin, teksa Çalhanoglu provoi të befasonte me një goditje nga distanca portierin e katalanasve, Ter Shtegen.

Pak më pas, ekipi i Inzaghit pretendoi për penallti pas një prekje me dorë të Erik Garsias. Gjyqtari mori sinjal nga VAR-i që ta shikonte edhe një herë rastin, me kryesorin Vinçiç që nuk ndërroi mendje. Kontestimet ishin të shumta, por në fund rezultuan të kota.

Italianët morën avantazhin me Korrean, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.  Në fund pikërisht Çalhanoglu “tundi rrjetën” me një goditje nga larg.

Ekipi i Çavit rriti presionin dhe gjeti shtyllën sapo fillon e dyta, me Dembele. Katalanasit barazuan me Pedri në minutën e 67, por goli u anulua nga VAR-i

Vendasit ruajtën avantazhin deri në fund, duke u renditur në vendin e dytë me 6 pikë, 3 më shumë se Barça e vendit të 3.

Napoli ka mposhtur me shifrat 1-6 Ajaksin në Holandë. Të parët që realizuan ishin vendasit me Kudus, por të besuarit e Spaletit përmbysën shifrat duke gjetur rrugën e rrjetës me Raspadorin, Di Lorencon dhe Zielinskin në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, italianët vazhduan të shënonin, këtë herë me Kvaratskhelia, Simeone dhe Raspadori.

Liverpuli bëri detyrën, duke mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Gllasgou Renxhgërs, me golat e Arnold dhe Salah nga pika e bardhë e penalltisë.

Befasia e madhe erdhi nga Belgjika, ku Atletiko e Madridit u dorëzua ndaj Klub Bryzhit, teksa skuadra belge triumfoi 2-0 në shtëpinë e tyre.

Sport Barcelona Champions League Inter Liverpul Napoli