Politike17 Maj 2022, 15:40

Investimet strategjike, Agron Shehaj: Favorizohen miqtë e qeverisë dhe familjarët e ministrave, Rama të japë llogari

Shkruar nga Pamfleti
Investimet strategjike, Agron Shehaj: Favorizohen miqtë e qeverisë dhe

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka lëshuar të tjera akuza ndaj qeverisë sa i takon investimeve strategjike. Përmes një deklarate për mediat, ai tha se përfitues janë të afërm të ministrave dhe deputetëve socialiste.

Sipas tij po vidhen pronat në bregdet dhe po i marrin miqtë e qeveritarëve.

Partia Demokratike po ndjek me vëmendje dhe shqetësim të madh aksionin e koordinuar dhe kriminal të qeverisë për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave në bregdet. Çdo ditë, qytetarët shqiptarë po njihen me fakte tronditëse se si bregdeti po grabitet nga ministrat, zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste dhe biznesmenët ortak të qeverise. Mekanizmi kryesor që po bën të mundur këtë vjedhje të përmasave gjigande është ligji antikueshtetues i investimeve strategjike.

Në fakt, ky ligj do duhej të quhej ndryshe. Do duhej të quhej ligji i ministrave strategjikë. Sepse deri tani ka prodhuar vetëm ministra me hotele dhe resorte dhe asnjë investime strategjike nga kompanitë e njohura të turizmit ndërkombëtar”, tha Shehaj.

Më tej ai ka ngritur dhe disa pyetje për qeverinë. Sipas tij, cilët janë investitorët që solli në Shqipëri ligji i investimeve strategjike dhe cilat janë brandet e njohura të turizmit që po investojnë sot në bregdetin shqiptar? Shehaj përmendi rastin e burrit të ministres Xhaçka.

Investitorët strategjikë që solli ky ligj janë bashkëshorti i ministres së Jashtme, kushërinjtë e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, dhe grushti i përhershëm i miqve të Edi Ramës.

Janë këta që po përvetësojnë pronat dhe plazhet e bregdetit shqiptar. Janë këta që po marrin favoret që vijnë me statusin e investitorit strategjik, si falje taksash, ndërtim infrastrukture me paratë e qytetarëve, përvetësim i pronës publike, etj. E madje për llogari të këtyre qeveria po shpronëson pronat e qytetarëve në shkelje flagrante të Kushtetutës”, vijoi ai.

Deputeti demokrat u shpreh në deklaratën për mediat se PD ka thirrur një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, për të folur pikërisht për investimet strategjike.

Përballë këtyre fakteve, Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama në lidhje me shpalljen investitorë strategjikë të familjarëve të ministres Xhaçka. Kryeministri Rama duhet të japë llogari para qytetarëve se si me vendimin e qeverisë te dates 2 mars 2022 i dha pronën publike në përdorim në Dhërmi familjes Xhaçka. Te japë llogari se si po shkatërrohen Parqet Kombëtare që të ndërtohen resortet e kushërinjve të qeverisë. Te japë llogari se si po falën qindra mijëra hektarë tokë shtetërore për oligarkët”, tha ai.

Politike #strategjike PD Shehaj