Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia, ka publikuar një mesazh që sipas tij i ka ardhur në telefon nga personeli mjekësor në Shkodër.
Në mesazhin e postuar nga Spahia, thuhet se në Shkodër nuk ka tampon për të testuar rastet e dyshuara me COVID-19.
Ish-deputeti shkruan se që prej të premtes po bëhen pak analiza dhe sot janë bërë vetëm 32 teste, ndërkohë që numri i personave të infektuar është në rritje të vazhdueshme.
Postimi i plotë:
Shqetësimi kryesor i mjekëve në këtë periudhë është mungesa e tamponëve dhe mjeteve për të bërë analizat e COVID-19. Në Shkodër, personeli shëndetësor denoncon se ka raste të dyshuara për qytetarë të ardhur nga Italia dhe nuk ka tamponë për analiza!
Po bëhen dy javë që mjekët, qytetarët dhe opozita po e ngremë këtë shqetësim, por Ministrja e Shëndetësisë, hesht pa dhënë asnjë përgjigje. Që prej të premtes po bëhen shumë pak analiza. Edhe sot janë bërë vetëm 32 teste, ndërkohë që numri i personave të infektuar është në rritje të vazhdueshme.
Si dreqin mund të jetë papërgjegjshmëria deri në këtë masë? Si mund të mos merren masa por të heshtet e të sulmohet kushdo që denoncon këtë situatë? Heshtja dhe fshehja e kësaj situate është kriminale! Nuk mund të luhet kështu me jetët e njerëzve!