Aktualitet26 Mars 2018, 10:46

Ish-futbollisti dinamovit: Gjyqtarët e futbollit në Shqipëri bëjnë veprime kriminale, janë të përfshirë në manipulimin

Shkruar nga Pamfleti
Ish-futbollisti dinamovit: Gjyqtarët e futbollit në Shqipëri

Ish-futbollisti dinamovit: Gjyqtarët e futbollit në Shqipëri bëjnë veprime kriminale, janë të përfshirë në manipulimin e rezultatit të ndeshjeve

Futbolli shqiptar ka oshilacionet e tij si në kampionat ashtu dhe në ekipin kombëtar. Kulmi i deritanishëm është pjesëmarrja në Europianin e Francës në vitin 2016, por trajneri i ri Kristian Panuçi dëshiron ta përsërisë këtë sukses e pse jo të shkojë më tej. Madje Panuçi ka ndërtuar një grup të ri që besohet se do të jetë e ardhmja e Kombëtares në dhjetë vjetët e ardhshëm, por pikëpyetjet për lënien e Ansi Agollit jashtë e ftesën për Andi Lilën për shumë specialistë nuk kanë sens. Gjithsesi, grumbullimi i fundit i Kristian Panuçit ka lënë në përgjithësi një shije pozitive, pasi ka ftuar shumë të rinj dhe në duele të tilla miqësore si takimi i 26 marsit kundër Norvegjisë është fiks momenti për të rinjtë të tregojnë vlerat e tyre. Duke folur për këto zhvillime në Kombëtare dhe pritshmëritë e skuadrës përfaqësuese, ish-futbollisti i Dinamos dhe Kombëtares, Arben Milori, theksoi se mundësitë për të pasur sukses janë të mëdha dhe se grupi i lojtarëve është i mirë. Nga ana tjetër, ai nuk la jashtë vëmendjes fenomenin që po shndërrohet në makth e që ka të bëjë me arbitrimin në futbollin shqiptar, pasi “xhaketat e zeza” po e bëjnë baltë garën dhe nuk janë as në aspektin profesional të përgatitur. Megjithatë, Milori mendon se gabimet janë me dashje dhe duke qenë të tilla janë të dënueshme dhe këta gjyqtarë e kanë hak sipas tij t’i vlerësosh me notën zero.

Ekipi kombëtar Shpresa, që besohet se ka lojtarë që në një të ardhme të afërt mund të luajnë në skuadrën kombëtare, pësoi një disfatë të thellë me Sllovakinë në “Selman Stërmasi”. Nuk shfrytëzuam dot as elementin fushë e as faktin se ishim dy herë në avantazh. Dështimi mund të përkufizohet me pozicionin, sepse ndodhemi në vend të parafundit në grup. Përtej justifikimeve të rastit dhe gjendjes së terreneve tona, çfarë ngjau me U-21?

Shkaku kryesor i këtij dështimi dhe humbjeje duhet kërkuar te mentaliteti jo fitues i skuadrës. Natyrisht, një ekip ka grupin, ka kualitetin, ka zhdërvjelltësinë, forcën, maturinë, shpejtësinë etj, elementë të domosdoshëm në këtë lojë, por nevojitet dhe mentaliteti fitues. Ky element duhet rregulluar. Rezultatet pozitive do të mungojnë nëse një skuadër, sado mirë që të luajë, nuk do ta ketë këtë vetbesim. Është në detyrën e teknikëve të përgatisin grup të fortë me mentalitet fituesi, ndryshe kot shkojmë në garë dhe kot shpresojmë të realizojmë objektivat. Për mendimin tim, nëse këta lojtarë nuk kanë mentalitet fituesi, atëherë kot shkojnë dhe lakmojnë skuadrën e parë kombëtare, e cila kërkon lojtarët më të përgatitur dhe me mentalitet të fortë.

Një skuadër që udhëheq në fushën e saj përmbyset në dhjetë minutat e fundit me dy gola të kundërshtarit, këtu diçka nuk shkon apo jo?

Ju kuptoj, të pësosh tre gola në total është shumë dhe teknikisht jo e hijshme e jo korrekte në ndeshje të këtij niveli dhe me kundërshtarë të tillë. Unë këtë gjendje të Kombëtares U-21 e shoh si një disbalancë, diçka që nuk shkon dhe një grup me probleme. Emrat janë të mirë, luajnë me skuadra cilësore, por problemi ekziston dhe është shqetësues. Shoh disekuilibrim dhe kjo nuk është normale për një skuadër të këtij niveli. Dihet që U-21 janë ekipe elitë, me talente të kualitetit të lartë.

Trajneri Bushi u mbrojt me faktin se këta elementë nuk kanë minutazhin e duhur me skuadrat ku aktivizohen. A qëndron kjo?

Po, kjo qëndron, sepse lojtarët tanë vërtet janë pjesë e skuadrave cilësore si Bare te Atletiko apo Manaj te Granada, por qëndrojnë në stol, nuk i kanë minutat e mjaftueshme në këmbë. Pse nuk luajnë? Këtë s’di ta them se ka të bëjë me aspektin menaxherial të tyre. Por është fakt që futbollistët tanë kanë mangësi në minutazh, duhet të luajnë më shumë. Duke u kthyer te loja, ishte nën nivelin mesatar, golat u pësuan në mënyrë që mund të evitoheshin dhe një skuadër elitë nuk mund të pranojë gola nga lojtarë që nuk i mbulon, apo siç u ndodhi Shpresave nga loja në krahë, ku pati shpërqendrim dhe dobësi. Ka shumë për t’u punuar e për të pasur rezultat.

Panuçi ka bërë një surprizë këtë herë. La në shtëpi “të vjetrit” dhe solli të rinj të shumtë, përfshi dhe nga kampionati. Duket se ai po tenton të formatojë një grup të tijin, jo atë të De Biazit. Në këndvështrimin tuaj, a ishte një lëvizje e justifikuar dhe a i shërben Kombëtares zgjedhja e tij?

Trajneri ka punuar mirë dhe po përpiqet të krijojë një profil të tijin edhe në zgjedhjet e bëra, pra në grupin e ngritur. Mund të kem rezervë për ndonjë lojtar, që në gjykimin tim nuk duhej të ishte ftuar. Ose, Ansi Agolli nuk mund të lihej jashtë, ai është në formë, luan në Champions League dhe është pjesë bërthamë e grupit. Pra, ndonjë pikëpyetje ekziston, por të ftosh të rinj në Kombëtare është gjithmonë pozitive. Fundja, a nuk janë miqësoret si kjo me Norvegjinë momenti i duhur të testosh të rinjtë? Ekipet përfaqësuese kanë nevojë vazhdimisht për rinovim me lojtarë të tillë. Në këtë pikëpamje unë gjykoj se Panuçi bëri mirë, sepse po fton elementët e perspektivës dhe mendoj se ai po ndërton një grup që do të jetë baza e Kombëtares në dhjetë vjetët e ardhshme.

Surpriza e vërtetë ishte ftesa për disa lojtarë të kampionatit. Përveç Sabjen Lilajt që ishte dhe më parë, u ftuan Abazaj dhe Gavazaj, dy elementë të spikatur të këtij sezoni. A është kjo kthesë një vëmendje e shtuar për kampionatin, apo lypsen lojtarë kualitativë, pavarësisht se ku luajnë?

Për mendimin tim janë zgjedhjet më të spikatura të kampionatit shqiptar dhe ka bërë mirë që i ka ftuar. T’u japë një shans dhe kjo është pozitive. Nga kampionati kemi dalë edhe ne të brezit tonë, çfarë të keqeje ka? Dakord, kampionati ynë nuk ofron nivelin e kërkuar dhe është e vështirë për lojtarët e kampionatit të çajnë në Kombëtare, por një shans të gjithë e kërkojnë. Madje ka dhe lojtarë me kualitet, pasi unë kam ndjekur lojërat e Skënderbeut në Europa League, ku ka luajtur si i barabartë me kundërshtarët dhe këtë performancë e kanë mundësuar pikërisht këta kualitete si Lilaj e Gavazaj e të tjerët. Ftesa në Kombëtare është normale dhe për lojtarin e kampionatit, pasi një lojtar mund të luajë në një kampionat elitar, por qëndron në stol, ose ka pak minuta në këmbë, ndërsa një lojtar këtu mund të luajë në një kampionat jo aq cilësor por ka angazhim të plotë. Duhen parë gjërat jo vetëm në një drejtim, prandaj mendoj se janë zgjedhje serioze nga ana e Panuçit. Sigurisht, shansi për të rinjtë është pikërisht në ndeshjet miqësore dhe Norvegjia është skuadër që ka potencial dhe e teston si duhet forcën e Kombëtares. Këto lloj ndeshjesh i rrisin të rinjtë, i ngarkojnë me përgjegjësi dhe e forcojnë grupin për sfidat e ardhshme zyrtare.

Kristian Panuçi është i ndryshëm nga De Biazi, ka dhënë prova, edhe pse vijnë nga shkolla italiane. Panuçi luan më në sulm, krijon lojë ofensive, pra më moderne në konceptin tekniko-taktik. Si ju duken lëvizjet e tij?

Jam dakord me lëvizjet që ka bërë dhe janë lëvizje që i japin frymëmarrje ekipit. Unë kam bindjen se kualifikimi në një aktivitet të madh nuk vjen duke qëndruar në mbrojtje, por duke sulmuar. Futbolli modern është i tillë dhe Panuçi po aplikon këtë model loje. Loja mbrojtëse po dështon dhe eliminimi i Junajtid e Murinjos nga Champions është dëshmi për këtë. Pra, Panuçi ka ide të avancuara të futbollit bashkëkohor dhe unë kam shpresë e besim se do t’ia dalë.

Në Ligën e Kombeve kemi dy kundërshtarë të fortë, Izraelin dhe Skocinë. Izraelitët i njohim paksa, kurse Skocia është skuadër më e fortë dhe pak e njohur për ne. A ka shanse Kombëtarja të jetë e para në grup?

Ky format është disi i veçantë sepse aplikohet për herë të parë. Janë grupe me rivalë pak a shumë të njëjtë. Mendoj se Skocia është skuadër mjaft e fortë dhe e vështirë për ne. Ata janë të disiplinuar, luajnë fort taktikisht dhe kanë qëndrueshmëri fizike e mentale. Është shumë e vështirë të mundësh skuadra të tilla. Ngjajnë pak me Irlandën, të cilën, edhe pse i shënuam të parët, na përmbysën nga 1-0 në 2-1. Nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë kundërshtarë të tillë, sepse ata kanë përgatitje të fortë. Kurse Izraelin e njohim, sepse e kemi të freskët përballjen me të. Është i kalueshëm. Për mendimin tim të dy janë kundërshtarë që mund të menaxhohen, pra edhe mund të kalohen e të zëmë vendin e parë në grup. Për Panuçin do të jenë sfida të vështira, por duhet të kemi besim te aftësitë e tij si trajner dhe te lojtarët e grupit, që kanë kualitet të mirë.

Desha një mendim teknik dhe për atë që njihet ditët e fundit si fenomen mjaft shqetësues: arbitrimi në futbollin tonë. Thuajse të gjitha klubet ankohen. Ka episode që të bën të vësh duart në kokë, vendime që s’kanë sens, por nga ana tjetër, tronditesh kur sheh gjyqtarë me stemën e FIFA-s që nuk kapin normat fizike për të qenë gjyqtar futbolli. Nëse bëjmë një vlerësim me notë nga zero në dhjetë, cila është nota juaj për arbitrat tanë?

Kam parë dhe ndjekur shumë ndeshje, jam informuar dhe në media dhe mendoj se akuzat ndaj arbitrave qëndrojnë. Kemi të bëjmë me veprime arbitrare të pabazuara në rregullore. Nuk janë gabime dosido, por bëhen veprime me dashje që ndikojnë në rezultat. Shumë ndeshje janë vendosur me vendime të tilla. Një penallti këtu, një faull atje, vendime pa lidhje me lojën dhe realitetin në fushë, që sjellin kaos dhe largim të tifozerisë.

Më falni, jo për t’i mbrojtur, por edhe në botë arbitrat gabojnë, fundja gabimi është njerëzor. Madje dhe justifikimi i tyre i tillë është…

Jo nuk është gabim njerëzor, por janë gabime me dashje, janë të qëllimta. Ju më pyetët për notën, unë u vë zero të madhe, e kanë hak. Gabimet e tyre janë veprime kriminale. Kur nuk jep vendimin e drejtë do të thotë se tjetrin e ke vjedhur, i ke bërë krim. Lojtarët kanë sedër, klubet financojnë, derdhin para dhe nuk mund të përtypin disfata që vijnë nga “bilbila” të orientuar. Gabimet e përsëritura nuk janë njerëzore, por përfshirje. Pra këta gjyqtarë janë të përfshirë në manipulim të rezultatit. A e bëjnë këtë për përfitime apo qëllime të tjera, këtë nuk e di, por ka plot veprime të tyre që janë kriminale. Dakord, nuk u vra njeri, por vdiq emocioni i lojës më të bukur në botë. Kur gabimi bëhet pa dashje arbitri përmirësohet, përgatitet fizikisht, lexon, mëson e praktikohet.

Po thoni se ka humbur besimi, kështu?

Niveli i ndeshjeve dhe i kampionatit tonë lë për të dëshiruar dhe kjo shpjegon edhe pakësimin e vazhdueshëm të spektatorëve. Ka rezultate të paracaktuara dhe këtu merr fund futbolli. Unë nuk e di kush do të ndërhyjë për ta rregulluar, sepse futbolli shqiptar, sidomos arbitrimi, e them me bindje, ka nevojë për reformim të thellë. Duam shumë të rregullohet, që të kthehen tifozët, por jam skeptik, me të vërtetë nuk shoh zgjidhje të shpejtë. (Referuar: Agjensia e Lajmeve “SOT NEWS”). /Pamfleti.com

Kryesore