Bota12 Shkurt 2019, 12:58

Ish-oficeri i UÇK merret në pyetje nga prokurorët e Hagës

Shkruar nga Pamfleti
Ish-oficeri i UÇK merret në pyetje nga prokurorët e Hagës

Ish-oficeri i UÇK merret në pyetje nga prokurorët e Hagës

Lahi Brahimaj, një ish-oficer i UÇK-së dhe daja i kryeministrit Ramush Haradinaj, u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës, gjashtë vjet pasi ai u lirua nga akuzat nga një tjetër gjykatë ndërkombëtare.

Shkruan Die Morina 

Ish guerrilasi i lartë Lahi Brahimaj tha për BIRN të hënën në mbrëmje se ishte ftuar të merrej në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, e cila po heton krimet e kryera në Kosovë gjatë dhe pas luftës.

“Po, jam thirrur,” tha Brahimaj, duke shtuar se ai do të pranojë ftesën e prokurorëve për t’u marrë në pyetje.

“Nuk dua të them se kur e mora ftesën apo se kur do të jap dëshminë time, por mund të konfirmoj se do të shkoj,” tha ai.

Kur u pyet nëse ishte ftuar si dëshmitar apo i dyshuar, ai u përgjigj: “Si një nga liderët e UÇK-së.”

Gjatë luftës në Kosovë, Brahimaj ishte një zyrtar në selinë e përgjithshme të UÇK-së.

Në nëntor 2012 ai u lirua nga akuzat në një rigjykim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, së bashku me nipin e tij Ramush Haradinaj dhe një tjetër ish-anëtar të UÇK-së, Idriz Balaj.

Prokurorët kishin pohuar se ata torturuan dhe vranë serbë dhe shqiptarë etnikë, të cilët konsideroheshin se kishin bashkëpunuar me serbët në një kamp të drejtuar nga UÇK-ja në Jabllanicë më 1998.

Gjykata e Hagës fillimisht e liroi Haradinajn dhe Balajt nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin 2008, por e dënoi Brahimajn me gjashtë vjet burg për trajtim çnjerëzor dhe torturë.

Në vitin 2010, dhoma e apelit e gjykatës arriti në përfundimin se dëshmitarët ishin kanosur dhe prokurorisë nuk i ishte dhënë mundësia të merrte në pyetje dy dëshmitarë të rëndësishëm dhe e dërgoi çështjen për një rigjykim të pjesshëm.

Brahimaj është i fundit nga një sërë ish-figurash të UÇK-së që janë thirrur për t’u marrë në pyetje këtë vit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Megjithatë, Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ende nuk kanë ngritur aktakuza.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës, por ndodhen me bazë në Holandë.

Ato pritet të hetojnë dhe gjykojnë të dyshuar për krime të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000, duke përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale./BIRN

Die Morina

Die Morina është gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Kosovë.

Rajoni Die Morina ish-oficeri i UÇK Lahi Brahimaj