
Ish-rektori Jorgaq Kaçani, 544 milionë lekë pazar në veshjen me mermer, të fasadës së Universitetit Politeknik
Nis hapja e “gropës së zezë” me 110 skandale dhe 13 milionë euro “qoka”
Atë që nuk e ka bërë 1 vit më parë KLSH, pas Vendimit të Auditit Nr. 738/12 Prot., datë 31.12.2017, ka vendosur ta bëjë prokuroria, duke rihapur dosjen e “kyçur” nga ish-kryeprokurori Llalla e jo vetëm të një dosjeve, të skandalit financiar të Rektorit Jorgaq Kaçani (kur ishte në detyrë), nisur pas denoncimit të deputetit Erjon Braçe më 18 korrik 2013, për shkatërrimin e mjediseve të këtij universiteti dhe për ndryshimet me letra e preventivë fals, me shtim të fondit limit, në tenderin për restaurimin e fasadës së Korpusit të UT.
Në këto punime, Kaçani ka ditur të “rrotulloj tepsinë” e milionave të shtetit, duke bërë kalkulime në projekt e preventivë, me shtim sipërfaqesh të veshura me mermer monumentesh kulture (sipas letrave), në çmime materialesh, çmime punimesh, në fondin 5% të garancisë së cilësisë së punimeve etj., makinacione këto, që kanë shtuar edhe 544 milionë lekë të tjera, mbi fondin limit fillestar të tenderit.
Tenderi ka nisur me Kontratën Nr. 16/42 prot., datë 28. 02. 2013, por nisja e punimeve u zvarrit qëllimisht 1 vit e gjysëm nga Jorgaq Kaçani, për efekt pazaresh private me firmën ndërtuese dhe pas ndryshimit të qeverisë në shtator 2013, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit, me Shkresë nr. 1472 prot., datë 22.09.2014, drejtuar Universitetit Politeknik Tiranë, i është kërkuar hartimi dhe miratimi i projektit të shtesës së Korpusit Kryesor, me qëllim unifikimin e veshjes së jashtme, duke u referuar materialeve të fasadës së Korpusit Qendror të UPT, i shpallur Monument Kulture i kategorisë së dytë me urdhër nr. 122 prot. datë 05.03.2007, në bazë të ligjit nr. 9048 datë 07.04.2003 “Për trashëgiminë kulturore”!
Nga auditimi i KLSH, rezulton se me urdhër të Jorgaq Kaçanit (kazanit të korrupsionit) , në pazar me firmën ndërtuese, janë ndryshuar shumë zëra e specifikime të tenderit, gjë që e vërteton Procesverbali datës 20. 04. 2015, ku saktësohet ndryshimi i zërit nr. 30-“Veshje dhe sipërfaqe fasade, me pllaka mermer traventinë 100 cm x 50 cm, trashësi 3 cm, me ngjyrë dhe teksturë si monumentet e kulturës në sheshin “Nënë Tereza”, i ventiluar, me strukturë mbajtëse metalike të galvanizuar, me ankorim vida inoksi, me kapëse çeliku inoksi”!
Loja “Kaçani” u bë në mënyrë pirate, me rritjen e çmimit dhe shtimin e sipërfaqes që do vishej me mermer, nga 451 m2 e planifikuar dhe me çmim të ofertuar 1800 lekë/m2, shkoi në 2858 m2 e 75 cm2, me çmimin 4 herë më të lartë, ose 8560 lekë/m2, me vlerë totale 240 milionë, 470 mijë e 900 lekë pa TVSH, ose afro 300 milionë lekë më tepër me 20% TVSH, pa llogaritur zërin “punim”.
Edhe njëherë kujtojmë, që në preventivin fillestar, zëri nr. 30-“Veshje me fasadë me pllaka mermeri veprash monumentale”, ka qenë i parashikuar në sasinë 451 m2, me çmim të ofertuar përfundimtar 1800 lekë/m2, por “Kaçan-Kazani” i shumë pisllëqeve në atë universitet, mori lapsin e llogarive personale dhe e shtoi me 6 herë sipërfaqen me mermer, duke shtuar fondi filestar të kontratës me 54,401,280 lekë me TVSH, pisllëk që u la në heshtje, pas “mirëkuptimit me qetësi e dashuri” të shefave të qeverisë, me shefat e LSI ku Jorgaq Kaçani është Kryetar i Komisionit të Arsim-Inovacionit dhe Kërkimit Shkencor” në kryesinë e LSI.
Hapja e “dosjes së zezë” korruptive të Jorgaq Kaçanit në “mbretërimin” si Rektor i Universitetit Politeknik-Tiranë, nisur me këtë abuzim, por do të vijoj me 110 zullume të tjera, për të cilat do të flasim në vijim, që kanë lidhje me diploma politikanësh, diploma “miqsh” në diasporë, transferime studentësh, me tekstet mësimore, me pagesat për gradat, me punësimet me kohë të plotë e të pjesshme, me mobilime zyrash, me të ardhurat nga regjistrimet dhe përsëritjet “Master”, me truallin e falur hotelit përbri, me titujt, gradat dhe temat e diplomave të studentëve e deri tek “tregu i zi” me 10 mijë abonetë studentore çdo muaj. (Vijon)./Pamfleti