Politike26 Shtator 2022, 20:10

"Ish-spiunët e Sigurimit s’do kenë më mbrojtje", Felaj: Kandidatët për deputetë të pajisen me certifikatë nga Autoriteti i Dosjeve

Shkruar nga Pamfleti
"Ish-spiunët e Sigurimit s’do kenë më mbrojtje",

Qindra deputetë politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit janë fshehur pas vërtetimeve të manipuluara politikisht nga komisionet Mezini e Bezhani për interesa të pushtetit në Shqipëri. PS e PD-ja e Alibeajt kanë rënë dakord në parim për hapjen e dosjeve, duke i dhënë kështu mundësinë nxjerrjes në dritë të sekreteve të errëta të ish-Sigurimit të Shtetit. E nëse kjo nismë realizohet, ndër emrat e rrezikuar nga figurat e politikës aktive, është ish-Presidenti dhe njëherazi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj.

E ftuar në Report Tv, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj tha se më anë të propozimit, socialistët synojnë që të zhdukin mburojën e certifikatave Bezhani- Mezini, dhe lejojnë Autoritetin e Dosjeve të verifikojë bazën e informacioneve që ka për të bërë transparencë se kush ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

 “Ne kemi pasur debat nëse do vlenin certifikatat e dhëna nga Komisionet Bezhani- Mezini, dokumente të prodhuara mbi bazën e të dhënave që ekzistonin në atë kohë dhe shërbenin për të vërtetuar cilësinë morale të kandidatëve që merrnin pjesë në zgjedhje dhe fushata elektorate, kush e kishte marrë një certifikatë, nuk ishte nevoja që institucionet t’i kërkonte një konfirmim. Certifikatat ishin një lloj mburoje që nuk lejonte Autoritetin të verifikonte bazën informacioneve, këtë barrierë ne e hoqëm. Nuk është ky ligji që do ndalojë këto figura për t’u zgjedhur. Autoriteti mund të shoh dokumentet dhe të bëjë transparencë, kush ka qenë ish bashkëpunëtor, nuk ka më një mburojë apo certifikatë garancie që e mbron dhe nuk e nxjerr përballë autoritetit”, tha Felaj.

Felaj ka sqaruar me detaje edhe propozimin për paketën e despiunizimit, ku synohet që të largohen nga politika të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Ajo tha se nëse më parë një deputet e kishte në të drejtën e tij të zgjidhje ose të të merrte një certifikatë nga autoriteti i dosjeve që vërtetonte pastërtinë e figurës së tij e që nuk kishte lidhje me komunizmit, tashmë kjo do jetë një detyrim. Kjo, sipas Felajt, do të sillte pastrimin e politikës nga këto figura.

“Ne kemi paralajmëruar që do kishim një paketë despiunizimi, ky është ndryshimi i parë, një tjetër që kemi propozuar, po ai lidhet me komisionin  reformës zgjedhore me ligjin që garanton integritetin e të zgjedhurve apo të emëruarve në institucione të rëndësishme. E rëndësishme të kemi një konsensus përtej mazhorancës, atëherë me ligj mund të ndalonim kandidimin e ish bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Ligj që lidhet me të drejtën për t’u zgjedhur. Ishte në diskrecionin e çdo kandidati që ta merrte konfirmimin pranë autoritetit për t’i provuar publikut se nuk ka pasur rekorde që e lidhin me komunizmin.  Jo të gjithë deputetët i drejtoheshin Autoritetit”, tha Felaj.

Politike Autoriteti i Dosjeve Felaj