Politike 1 Maj 2018, 11:11

Ish-themeluesi analizon 3 kuksianët në Kuvendin e PD: Protestuesi Popa, demokrati me mend Elezi dhe Jemini që na kujtoi Ruçi

Shkruar nga Pamfleti
Ish-themeluesi analizon 3 kuksianët në Kuvendin e PD: Protestuesi

Ish-themeluesi analizon 3 kuksianët në Kuvendin e PD: Protestuesi Popa, demokrati me mend Elezi dhe Jemini që na kujtoi Ruçin

Kuvendi “statutor” i Partisë Demokratike i mbledhur ditën e diel foli nga fillimi në fund kuksiançe. Tri momente që do të mbahen mend gjatë të prodhuara nga tri personazhe nga Rrethi i Kukësit ishin risitë e vetme të Kuvendit të partisë më të madhe të opozitës. I pari ishte një qytetar i zakonshëm i cili dhuroi emocione dhe korri duartrokitje pa fund, ovacione dhe thirrje entuziaste nga delegatët e Kuvendit. Ai quhej Lulzim Popa dhe ishte njëri prej protestuesve që u arrestuan pas protestës së qytetarëve të Kukësit, që refuzuan vendosjen arbitrare të taksës në Rrugën e Kombit.

Protestë që ia vuri “kunin te thana” Edi Ramës. Ai foli pa letër, thjesht, veçse me zemër në dorë. Disa prej fjalëve të tij ishin këto: “Jam babai i katër fëmijëve, prej të cilëve jam ba gjysh katër herë, kurrë në jetën time nuk kam pas punë me organet e drejtësisë, vetëm atë natë kur Policia erdhi dhe më vodhi në dy të natës. As Milosheviçi s’është sjellë ma keq me kosovarët në kohën e luftës. Dhe pse gjithë kjo dhunë, vetëm pse edhe unë si qindra mijëra kuksianë e shqiptarë ishim kundër traut, që ndanë shqiptarët e jugut me të veriut, shqiptarët e Kosovës me të Shqipërisë”.

Pa kurrfarë dirigjimi nga stimuluesit e duartrokitjeve, të cilët janë shtuar shumë viteve të fundit nëpër sallat kuvendore të partive shqiptare, ky qytetar i thjeshtë, por i vërtetë u duartrokit dhe i ndezi delegatët shumë më tepër se fjalimi gati 60 minutësh i Lulzim Bashës, i cili meriton një shkrim të veçantë edhe pse nuk e kam ndërmend ta shkruaj. I dyti ishte Ibsen Elezi, një kuksian i kultivuar dhe kurajoz, një demokrat me mend dhe me këmbë në tokë. Një intelektual i brezit të ri që i dhimbset Shqipëria, që i dhemb demokracia dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike, në të cilën ka milituar nga vitet e para të ekzistencës së saj.

Duke u votuar në të gjitha nivelet lokale nga anëtar i thjeshtë deri kryetar i degës lokale të PD-së së Kukësit. Një zyrtar që ka punuar dhe drejtuar institucione të rëndësishme lokale dhe qendrore, kurrë pa iu lakuar emri për afera korruptive. Fjala e tij në kundërshtim me Lulzim Popën, që e ndezi sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, e heshti atë sallë, e bëri të mendojë, e bëri t’i vejë gishtin kokës, t’i thërrasë ndërgjegjes. Disa i bëri të skuqeshin e të strukeshin pas kollareve të tyre.

Ndërsa jam i sigurt se shumica e gjetën vetën në ato mendime që Ibsen Elezi i artikuloi me qetësi dhe maturi të admirueshme. Ibseni e bëri sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve të heshtë, të kërkojë fillin e rrugës së humbur… Ndërsa kuksiani i tretë që i vuri kapak Kuvendit të “statutit” ishte Jemin Gjana. I cili kishte pranuar të përdorej nga zoti Basha në mënyrë krejtësisht vullnetare, megjithëse kjo nuk është hera e parë. Entuziazmin që dhuroi Lulzimi, heshtjen që pllakosi Kuvendin nga fjalimi i Ibsenit e turbulloi Jemini.

 I cili na kujtoi Gramoz Ruçin në Parlament kur miratohen ligjet e sjella nga qeveria për klientët e Edi Ramës dhe bandës së tij qeverisëse. “Neni 1, pro, kundër, abstenime, miratohet. Neni 2, pro, kundër, abstenime, miratohet. Neni 3…”. Kjo mbyllje ishte aq e parëndësishme sa u abandonue edhe nga zoti Berisha dhe pas tij nga shumica e delegatëve të pranishëm, të cilët u derdhën nëpër kafet rreth e rrotull Pallatit të Kongreseve si për ta ndryshuar shijen e hidhur që iu la Kuvendi i partisë së tyre…

Panorama.

Politike