Aktualitet 8 Nëntor 2022, 16:38

Ish-zyrtarët serbë zbulojnë shantazhet e Beogradit: Nëse nuk jep dorëheqjen, të djegin makinën

Shkruar nga Pamfleti
Ish-zyrtarët serbë zbulojnë shantazhet e Beogradit: Nëse nuk

Shumica e serbëve në Veri janë detyruar me dhunë që të dorëzojnë detyrat në institucionet e Kosovës. Pak ditë më parë dhanë dorëheqjet policët, gjyqtarët prokurorët dhe funksionarë të ndryshëm të strukturave vendore në Mitrovicë.

Mirëpo një ish-punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë tha se ishte detyruar të dorëhiqej, pas 20 vitesh shërbimi. Ish-zyrtarja konfirmon se gjithçka udhëhiqet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe aspak në mënyrë vullnetare.

“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, ka deklaruar ish punonjësja e gjykatës së Mitrovicës, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur për arsye sigurie. Gjithashtu ajo ka shtuar se askush nuk ka një plan se si rregullohet kjo situatë.

Një zyrtare tjetër në një institucion të Kosovës në veri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaroi se nuk e ka braktisur me vullnet vendin e punës.

Ajo thotë se “të gjithë i luten Zotit që situata të rregullohet dhe të kthehen në punë”. “A thua a ka njeri që mendon ndryshe”, pyet ajo.

Të njëjtën gjë dëshmon edhe një punonjës i njërës prej komunave veriore. Ai thekson se nuk guxojnë të flasin publikisht për “padrejtësinë” që u është bërë.

“Për këtë vetëm pëshpëritet. Në kafene pëshpëritet për këtë dhe nuk mund të flasësh diku publikisht për këtë gjë… vetëm me dikë që e njeh dhe që sigurohesh që askush mos të të shohë”, thotë ai.

Krahas punonjësve të Gjyqësorit, dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, punëtorë komunalë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Ndërkohë sot një tjetër makinë është djegur sot në veri të Kosovë, e cila gjithashtu mbante targa me mbishkrime të Serbisë.

Kryesore Makina veri Zjarri