Kronike20 Qershor 2022, 17:28

Ishte dënuar me 21 vite burg, arrestohet në Pogradec 42-vjeçari turk

Shkruar nga Pamfleti
Ishte dënuar me 21 vite burg, arrestohet në Pogradec 42-vjeçari

Policia ka vënë në pranga sot një shtetas turk, i cili ishte shpallur në kërkim nga Ankaraj për mashtrim.

Uniformat blu bënë me dije se është arrestuar Salih Akkurt, 42 vjeç, pasi është dënuar në Turqi me 21 vite burgim për mashtrim kompjuterik duke klonuar kartat e bankave.

Turku ishte larguar nga qyteti i Konyas dhe jetonte në Pogradec .

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pojska”. Operacioni, nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Interpol Tiranën. Kapet dhe vihet në pranga në Pogradec, një shtetas turk, i shumëkërkuar nga drejtësia turke, i dënuar me 21 vite burgim dhe i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vite burgim.

42-vjeçari, nga Konya e Turqisë, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”, dhe së fundi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec. Për t’u maskuar, ky shtetas mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit. Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.

Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk:

-Salih Akkurt, 42 vjeç, banues në Konya, Turqi.

Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk. Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.

Kronike arrestohet mashtrim turk