Bota20 Korrik 2022, 21:14

Italia drejt zgjedhjeve të parakohshme/ Draghi “tradhtohet” nga Berluskoni dhe Salvini, merr vetëm 95 vota në Senat

Shkruar nga Pamfleti

Italia pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kryeministri Mario Dragi ka marrë votëbesimin në Senat, por kjo nuk mjafton. Kryeministri mori 95 vota pro dhe 38 kundër nga 315 në total, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve nuk votuan.

Por goditja më e madhe ndaj tij ka ardhur nga aleatët Silvio Berluskoni dhe Mateo Salvini. Deri pak para votimit “Forza Italia” dhe “Lega Nord” që përbëjnë koalicionin e së djathtës kishin deklaruar mbështetjen për qeverinë, por në fund nuk morën pjesë në votim. Po ashtu nuk morën pjesë edhe senatorët e lëvizjes “5 Yjet” dhe Fratelli d’Italia.

Thyerja mes të djathtës dhe Draghit erdhi pas vendimit të kryeministrit për t’i dhënë besim rezolutës së paraqitur nga Casini. Ishte koordinatori kombëtar i “Forza Italia”, Antonio Tajani ai që dha lajmin për mosvotimin e senatorëve të Lega Nord dhe Forza Italia. Përpjekja e qendrës së djathtë për ndërmjetësim u hodh poshtë nga kreu i Palazzo Chigi gjatë përgjigjes së dhënë në fund të diskutimit të përgjithshëm.

Qeveria e koalicionit të unitetit kombëtar të Draghit, e cila përfshin partitë e së djathtës, të majtës, qendrës dhe Lëvizjes populiste “5 Yjet”, u formua në shkurt për të ndihmuar Italinë të rimëkëmbet nga pandemia e coronavirusit.

Drama politike e Italisë filloi të enjten e kaluar, kur ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane 74-vjeçaro, Draghi i dorëzoi presidentit dorëheqjen e tij, sepse lëvizja populiste “Pesë Yjet” ishte tërhequr nga votëbesimi për një paketë ndihme prej shumë miliardë eurosh për familjet dhe bizneset.

Presidenti Sergio Mattarella refuzoi dorëheqjen e tij dhe gjashtë ditë më vonë Draghi i tha Senatit se ishte e pamundur të injoroheshin thirrjet publike për të qëndruar në detyrë. Ai vlerësoi publikun, sindikatat, universitetet dhe industrinë, si dhe punonjësit e shëndetësisë dhe botën e sportit për thirrjet e tyre për të vazhduar.

Pas rezultatit, Draghi ka konfirmua dorëheqjen.  Nesër në mëngjes ai do të dalë para Dhomës së Deputetëve, por në një proces formal dhe më pas do të shkojë te presidenti Matarela, ku do i dorëzojë sërish dorëheqjen. Me shumë gjasë në shtator Italia do mbajë zgjedhje të reja.

Bota Berluskoni draghi salvini