
Nga politika shqiptare nuk ka asnjë person që të jetë nisur drejt SHBA. Sali Berisha dihet që nuk udhëton dot. Vetë Meta sot ka hedhur foto nga Shkodra, duke dhënë sinjale se dhe ai po e sheh me dylbi Uashingtonin. Rama ka 1 javë që nuk dihet se ku është…
Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha duket se kanë hyrë që të tre në listën e zezë të amerikanëve.
Prej 30 vitesh ata dominojnë politikën shqiptare dhe përmes manovrave mbajnë njëri-tjetrin në pushtet. Por amerikanëve duket se u është sosur durimi dhe nga dita në ditë po jepen sinjale se pas Berishës, po bien njëri pas tjetrit edhe të tjerët.
Sali Berisha u shpall “non grata”, ndërkohë që në të njëjtën rrugë janë edhe Ilir Meta me Edi Rama. Meta, pavarësisht se i ka qetësuar raportet me Yuri Kim, po hetohet nga SPAK për lobime të fshehta në SHBA. Ndërkohë, Ramës i “plasi bomba” me zyrtarin e FBI. Pra duket sikur SHBA po i vë të gjithë në rresht dhe testi do të jetë javën që vjen.
Çdo vit, të enjten e parë të shkurtit kremtohet Mëngjesi i Lutjeve, një event dhjetëra vjeçar ku bëhen bashkë në SHBA liderët nga e gjithë bota. Nga vendi ynë vazhdimisht kanë shkuar Rama, Meta, deputetë, ministra etj.
Gjithmonë kur afronte Mëngjesi i Lutjeve, politikanët shqiptarë nxitonin me vrap të tregonin se kishin siguruar një ftesë dhe do ishin atje për të takuar personalitetet e SHBA. Këtë vit nuk ka ndodhur kështu. Në Kosovë për shembull, liderët politikë kanë shkuar që sot në SHBA. Ramush Haradinaj ka hedhur foto nga mbërritja në tokën amerikane. Po ashtu edhe Memli Krasniqi i PDK ka konfirmuar pjesëmarrjen. Për Kurtin thuhet se nuk ka marrë ftesë.
Nga politika shqiptare nuk ka asnjë person që të jetë nisur drejt SHBA. Sali Berisha dihet që nuk udhëton dot. Vetë Meta sot ka hedhur foto nga Shkodra, duke dhënë sinjale se dhe ai po e sheh me dylbi Uashingtonin. Rama ka 1 javë që nuk dihet se ku është. Pasi plasi skandali “McGonival” ai është zhdukur dhe një vizitë tani në SHBA do e komplikonte situatën.
Një emër që shihej shpesh është Fatmir Mediu, por edhe ai e ka pisk punën. Ai është marrë nën hetim nga SPAK për Gërdecin dhe ambasada amerikane në raste të tilla është strikte në dhënien e vizave. Pra, ata që dikur reklamonin dhe trumbetonin me të madhe marrëdhëniet me SHBA, sot e shohin vetën të izoluar. Dhe kjo është një kambanë alarmi për të gjithë klasën politike, pasi kur SHBA të fut në rreth të kuq, punët nuk janë mirë.
Mbetet të shihet nga radhët e deputetëve se kush do të jetë në Mëngjesin e Lutjeve, pasi ka shumë deputetë që lobojnë fort për të siguruar një ftesë atje. /Pamfleti