Aktualitet28 Nëntor 2022, 20:08

"Jam e shokuar!"/ Gërvalla "bën për një lekë" Daçiç në Konferencën për dhunën seksuale: Kemi këtu dorën e djathtë të Millosheviçit!

Shkruar nga Pamfleti
"Jam e shokuar!"/ Gërvalla "bën për një

"Jam e shokuar!"/ Gërvalla "bën për një lekë" Daçiç në Konferencën për dhunën seksuale: Kemi këtu dorën e djathtë të Millosheviçit!

Shumë duartrokitje nga të pranishmet në sallë, viktima të dhunës seksuale në konflikt, nga vende të ndryshme të botës, mori ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Këto duartrokitje nuk ishin për atë që ajo tha, por në fakt për refuzimin për t’iu përgjigjur pyetjes se “cilat janë mangësitë që ka identifikuar Kosova në raport me dhënien e ndihmës për viktimat e dhunës seksuale në konflikt”.

Reagimin e ashpër deri në pikën që refuzoi t’iu përgjigjet pyetjeve të panelit pritës, në shenjë proteste për prezencën e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, Gërvalla e komentoi duke thënë se një ndër autorët e këtyre krimeve, dhe dora e djathtë e diktatorit Slobodan Millosheviç, ndodhet në sallë, i duartrokitur për fjalimin e mbajtur disa herë nga viktimat e dhunës seksuale të luftës.

Komentet zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla i bëri në Konferencën Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt; ku merr pjesë me ftesë të Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly.

“Drejtësia është gjithmonë kyçe në këtë çështje, pra çështja e sjelljes së drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale në konflikt, është kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht detyrë e secilit”- u shpreh Gërvalla në nisje të fjalimit, për të folur më tej konkretisht për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Si një vend që ka dalë nga gjenocidi, më pak se 30 vjet më parë, nuk besoj se mund t’ju tregoj shumë ju, se si të merreni me dhunuesit, e autorët e kësaj dhune në vendin tonë, sepse ata kanë ardhur nga jashtë vendit. Prandaj pyetja që kam unë sot këtu për ju dhe të gjithë është se: si autorët duhet të përballen dhe të mbahen përgjegjës për atë çfarë kanë bërë”- tha Gërvalla, ndërsa në 4 minutat e fjalimit të mbajtur, nuk fshehu zhgënjimin për një fakt.

“Jam pak e shokuar nga përbërja e panelit të fundit, me prezencën e arkitektit kryesor për kryerjen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Ta kemi këtu arkitektin kryesor, që të na tregojë  këshilla, në prani të viktimave dhe të mbijetuarave të kësaj dhune, na vë në mëdyshje që të mendojmë për vetë kuptimin e  kësaj konference”, deklaroi Gërvalla, nën duartrokitjet e viktimave të pranishme në sallë.

“Si mund të flitet për mangësitë e trajtimit të këtyre rasteve të dhunës në Kosovë, kur përballë të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikt, të cilat – sipas numrit dy të qeverisë së Kosovës – u treguan të guximshme mjaftueshëm, të vijnë, të tregojnë se nuk janë duke u dorëzuar, se duan një perspektivë më shumë për veten dhe fëmijët e tyre”, qëndrojnë të ulur në atë sallë autorët e këtyre krimeve?

Sipas Gërvallës, kjo konferencë është diçka më shumë “sepse këtu në vendin ku jam ulur unë, ishte një nga autorët e këtyre krimeve. Dhe kjo duhet të ndryshojë.”

I gjendur pa përgatitur për të tilla fjalë, drejtuesi i konferencës në panel, tha se nuk e kishte idenë se kush ishte personi për të cilin fliste kryediplomatja e Kosovës. Sidoqoftë, informacioni që po kërkonte iu sigurua menjëherë nga një prej të ftuarave, e cila me zë të ulët i tha se: “Flet për Ivica Daçiçin”. Ndërsa përshpërima u dëgjua nga mikrofoni i ndezur.

Megjithatë, edhe vetë ministrja Gërvalla e sqaroi se për kë po fliste.

“Ky është ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, dora e djathtë e Slobodan Millosheviçit në vitet 1992-2000. Kur flasim kaq shumë për viktimat dhe të mbijetuarat, duhet ta kemi së pari respektin e tyre, e pastaj të flasim për rrethanat”- tha Gërvalla, fjalimi i së cilës u ndërpre nga duartrokitjet dhe ovacionet e të pranishmeve.

“Më falni, por nuk dua të përgjigjem në pyetjen tuaj, jo në mos respekt ndaj jush personalisht, por duke u përpjekur të ndihmoj çdo të mbijetuar për të mos pasur nevojë që të përballet në një vend neutral me autorët e këtyre krimeve”, tha zv.kryeministrja, raporton RKTLive.

“Ky është obligimi ynë, si politikanë, si drejtësi dhe si gjithçka tjetër”.

Vlen të theksohet se, gjatë punimeve të konferencës, Gërvalla do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me homologë, përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse dhe të organizatave ndërkombëtare. Konferenca në tërësi, përqendrohet në reagimin global ndaj dhunës seksuale në konflikt, parandalimin e saj, mbështetjen e të mbijetuarve dhe fëmijëve të lindur nga dhuna seksuale në konflikt, si dhe në nxitjen e veprimeve dhe praktikave më të mira për të krijuar përgjegjësi ndaj autorëve të kësaj dhune.

Konferenca Ndërkombëtare Ministrore për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt mbahet nga 28-29 nëntor në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, nën patronatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.

Kryesore #Gervalla Slobodan Millosheviç