Aktualitet26 Tetor 2022, 08:17

"Janë kërcënuar prokurorët"/ Hoxha: Arben Kraja mos bëjë viktimën, të tregojë a po heton dosjet apo jo!

Shkruar nga Pamfleti
"Janë kërcënuar prokurorët"/ Hoxha: Arben Kraja

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja

Pas deklaratë së kreut të SPAK, Arben Kraja, se disa prokurorë janë kërcënuar, gazetari Poli Hoxha shprehet se Kraja nuk duhet të bëjë viktimën, por duhet të tregojë nëse shantazhuesit po hetohen apo jo.

Hoxha e konsideroi të turpshëm dhe absurd faktin që hetimet nuk janë nisur për aq kohë sa SPAK këtë funksion ka.

Kryeprokurori u kërcënoka dhe nuk na thotë që është hapur hetim. A po hetohen? Kush janë këta që shantazhojnë? Është politika? Për atë e kemi ngritur SPAK. Nëse shantazhohen nga ata, përse nuk hap hetim, kjo është absurde dhe e turpshme.

Del kreu i SPAK dhe bën viktimën. Por ne e dimë që kur je në atë vend pune, derisa ke rrogat më të larta se ministra e të gjithë, atëherë ne e dimë që për atë punë ke vajtur atje që të përballosh presionin. Është e turpshme që nëse nuk heton ti për veten tënde, po kush do hetojë për ne, për qytetarin e thjeshtë, ti që lëshon një deklaratë të tillë,” tha Hoxha në emisionin “Zona Zero”.

Ditën e djeshme, kreu në detyrë i SPAK, Arben Kraja, tha se po bëhen hetime shumë të rëndësishme.

Në një deklaratë për mediat, pas takimit me prokurorët për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kraja përmendi rastin e sotëm të marrjes të pandehur të 10 ish zyrtarëve të qarkut të Lezhës, përfshirë edhe ish-kryetarin e bashkisë.

“Prokurorët e SPAK punojnë përditë. Sot kishim një njoftim për përfundimin dhe dërgimin për gjykim të një procedimi shumë të rëndësishëm për shkelje me pronat publike, ku është sekuestruar një sasi e jashtëzakonshme sipërfaqe toke e cila do t’i kthehet shtetit”- tha Kraja.

Më tej, ai theksoi se ka indicie që prokurorë e gjyqtarë që hetojnë dosje me personazhe të fuqishëm janë kërcënuar.

Kraja përfundon mandatin në dhjetor, ndërsa në 2 nëntor 2022 përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave të tjera për këtë post.

E kur kanë mbetur vetëm pak ditë, ende nuk është paraqitur asnjë kandidaturë për t’u ulur në karrigen që do të lihet bosh nga Kraja.

Aktualitet Arben Kraja Këercënime SPAK