20 vjet më parë, më 19 maj 2002, ndërroi jetë pranë Liqenit të Luleve në Lurë, ambasadori amerikan Joseph Limpreht
Shkruan Sokol Pepushaj
Po të mos ishte përvjetori i 20-të i vdekjes së Ambasadorit Joseph Limpreht në Shqipëri, do ishim tek “Java Amerikane”. Pasi do ngopeshim me ushqim, pije e muzikë falas, do ndiqnim lajme me hajdutë si Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Edi Rama etj, që zgjohen në dhoma sheikësh, kalojnë ditën nëpër makina, resorte e takime të çuditshme, nga bandat e deri tek ambasadorët, e prapë ritualin e përditshmërisë.
Por batakçinjtë, kanë bërë baltë, si derrat.
Shqiptarët e mi i shohin, i njohin, nuk e mbyllin gojën. Shpresojnë tek amerikanët se 4 Klanet Mafioze që drejtojnë 20 familjet kriminale dhe që njihen emër për emër, do të arrestohen e do të shkojnë përpara drejtësisë. Po që të presësh diçka, edhe duhet të japësh diçka, apo jo? Çdo ambasador amerikan, edhe Joseph Limpreht, edhe Yuri Kim, me të drejtë, na ka orientuar drejt dinamikave substanciale për drejtësinë që pritet, me sot e me nesër.
Po, kemi ca gjëra ende për të diskutuar, para se të arrestojmë hajdutët.
Aq sa e kanë hapur shqiptarët gojën, e kanë kyçur kolegët e mi. Ngjarjet e mëdha mbulohen me errësirë, të mos i shikojnë, kush tjetër, veç popullit shqiptar. Ja, ta përziejmë pak “kosin” që u servirim lexuesve tanë për sot.
20 vjet më parë, më 19 maj 2002, ndërroi jetë pranë Liqenit të Luleve në Lurë, ambasadori amerikan Joseph Limpreht.
Sot, asnjë tufë lule, asnjë lajm, nuk e paskan kolegët për të.
Jo se nuk e dinë, pasi e mprehin kujtesën për gjithçka, por seç ndjejnë një sekëlldi, një përzierje nga “stomaku”, një shantazh shtazarak në mes të Europës, për të mos thënë atë që gjithkush e pret, të vërtetën, njerëzoren, respektin për mikun.
E dini ç’më thonë kolegët kur i pyes?
Shumica, ata që kanë dalë për punë, që hanë falas tek “Java Amerikane”, mbajnë një kamera e një mikrofon e s’kanë gjë as në dorë, as në torbë. Nuk kanë asnjë faj. Janë fare ‘gollë’ si profesionistë. As dinë ta shpjegojnë të shkretët, pse nuk mund të thonë një fjalë as në FB për ambasadorin amerikan Limpreht, por dinë kodin e mafies në media; Kush nuk bindet, masat janë nga t’i pritet rroga, e deri t’i “thyhet” koka.
Po “dorërëndët” e mediave?
Këta dorërëndët, portofolrëndët e profesionlehtët, me shaka normalisht, na thonë se po, Joseph Limpreht për ta ishte si Yuri Kim sot. Pastaj, edhe pse janë fare bosh në profesion, e kuptojnë se do duheshin ca emisione televizive për të nderuar ambasadorin Limpreht, por me prapanicë të kujt ta bëjnë.
Kanë frikë shantazhet mesjetare.
Frikë mediat the?
Kështu më ngjan, por ne do të vazhdojmë “Javën e ambasadorit Limpreht” me shkrime të tjera, e nëse kolegët nuk i druhen hakmarrjes, mospajisjes me viza apo ngrirjes së tyre, le ta diskutojmë, se vërtetë demokracia në Europë ka lindur, por amerikanët na kanë çelë hapësira të mira të mos na i ngucin liritë e të drejtat ata që i kanë shpikur.
E ndjejmë detyrim profesional që marrim në vemendje këtë fenomen njerëzor, humbjen e jetës së një diplomati të huaj në vendin tonë.
Miku i shqiptarëve, Joseph Limpreht, që u prehtë në paqe, se jeta kështu e ka, po të jetonte, do mbante krah Yuri Kim një fjalim shprese për kapjen e “Peshqve” të mëdhenj. Se ju e patë, Yuri Kim i mblodhi këtu në Tiranë të tërë ambasadorët e 32 viteve të fundit. I respektoi dhe i lumtë. Mungonte Joseph Limpreht. Nuk mund të vinte normalisht, se është në jetën tjetër. Por sa shërbeu në Shqipëri, ishte aktiv. Deri ditën e fundit të jetës mbahej mirë, shëtiste nëpër male e studio, si tjerët, prandaj pyesim, pse mediat antiamerikane nuk e nderojnë kujtimin e ambasadorit Joseph Limpreht?/(Vijon…) Pamfleti