Kulture 1 Shtator 2022, 09:14

Java e kulturës britanike, ambasadori Smith: Jam i sigurtë se edhe qeveria e re në Londër do e konsiderojë Shqipërinë si partnere të ngushtë dhe të rëndësishme

Shkruar nga Pamfleti
Java e kulturës britanike, ambasadori Smith: Jam i sigurtë se edhe

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith u shpreh sot se organizimi i Javës së Kulturës së Britanisë së Madhe në Tiranë është një nismë shumë e mirë për forcimin e lidhjeve kulturore mes dy vendeve.

Në një intervistë televizive ambasadori britanik shprehu bindjen se kjo do të jetë një festë kulturore.

“Shqipëria ka një kulturë dhe histori me të vërtetë të pasur dhe pa dyshim e njëjta gjë është vlen edhe për Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë kësaj jave, sporti do të ketë radhën i pari. Do të organizojmë një lojë kriketi në Sheshin Skënderbej. E di që kriketi mund të mos jetë shumë i njohur në Shqipëri, por në Britani e luajmë shumë, ashtu si edhe në botë. Shqipëria luan shumë futboll dhe e njeh mirë, kështu që menduam të prezantojmë edhe kriketin”, tha ai.

Ambasadori theksoi se këngëtarja e shquar Rita Ora do të vijë për një koncert madhështor në datën 6 shtator.

“Ajo është një yll në Britani dhe në botë, dhe këngëtare pop, por në zemër e shpirt është padyshim kosovare dhe shqiptare, kështu është e mrekullueshme që këto lidhje të shpalosen përmes muzikës. Dhe më tej do të kalojmë në gjëra të tjera. Do të festojmë për letërsinë dhe rolin e autorëve britanikë në kulturën shqiptare, si dhe lidhjet kulturore. Unë besoj se njerëzit e botës së kulturës kanë një rol shumë të rëndësishëm. Ata janë shpesh modele për të rinjtë. Shpesh ajo çka bëjnë, thonë, këngët e tyre, mesazhet e tyre i prekin njerëzit në mënyra që qeveritë nuk munden, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe jam me të vërtetë i lumtur që Rita do të vijë këtu dhe do të na tregojë se si mund ta arrish suksesin. Nuk ka rëndësi nëse ke lindur në Kosovë, në Shqipëri, apo në Britani, për të qenë një histori ndërkombëtare suksesi duhet shumë punë dhe sigurisht të përdorësh talentin që ke”, tha ai.

Ambasadori King-Smith u shpreh se do të ketë aktivitete edhe në Korçë dhe Shkodër.

“Unë dua të sigurohem që përmasat dhe shumëllojshmëria e kulturës dhe trashëgimisë së Shqipërisë t’i shpaloset botës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, shtoi ai.

“Që prej emërimit tim, ishte e qartë që mund të bënim më shumë në fusha më të gjera. Kemi punuar shumë në fusha si krimi i organizuar, çështjet e demokratizimit dhe zgjedhjet, dhe do të vazhdojmë të punojmë në këto fusha. Por, që në fillim ramë dakord, dhe ministrat tanë gjithashtu janë dakord, se ky është momenti i përsosur për të përforcuar dhe thelluar marrëdhëniet tona. Prandaj shume prej ministrave tanë kanë ardhur dhe do të vijnë këtu. Kryeministri ishte në Londër, dhe siç e dini mirë, në Londër do të kemi së shpejti një qeveri të re. Por unë jam i sigurt se edhe kjo qeveri do ta konsiderojë Shqipërinë si partnere të ngushtë dhe të rëndësishme, sepse tashmë po bashkëpunojmë edhe në arenën ndërkombëtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në NATO për çështje si Ukraina dhe Rusia. Megjithatë, unë besoj se mund të bëjmë më shumë në fusha si tregtia, biznesi dhe investime, si dhe në arsim e kulturë”, tha King-Smith./ ATA

Kulture #java kulturore britanike Alastair King-Smith

Kulture