Bota12 Dhjetor 2022, 18:44

Jeta e një shërbëtoreje për mbretërit dhe të pasurit e Katarit!

Shkruar nga Pamfleti

Jeta e një shërbëtoreje për mbretërit dhe të pasurit e Katarit!

Përpara se Katari të fitonte konkursin për të pritur Kupën e Botës 2022, punëtorët e huaj nuk ishin në gjendje të ndryshonin punë ose të largoheshin nga vendi pa lejen e punëdhënësit të tyre. Është ende kështu në shumicën e shteteve të Gjirit.

Shkruan Megha Mohan, BBC

Teksa Kupa e Botës po zhvillohet për herë të parë në Doha, të dhënat për të drejtat e njeriut në Katar mbeten nën shqyrtim.

Është shkruar shumë për trajtimin e punëtorëve migrantë që ndërtuan stadiumet dhe hotelet, por shumë më pak për shërbëtoret e huaja që punojnë për klasat sunduese të Katarit. Në letër, të drejtat e tyre janë forcuar vitet e fundit – por rregullat e reja nuk ndiqen gjithmonë.

Në një bisedë të shkurtër në internet, Gladys, shërbëtorja e një familjeje elitë në Katar, thotë se punon çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në 23:00. Ajo pastron, ndihmon në përgatitjen e ushqimit dhe kujdeset për fëmijët. Ajo ha atë që ka mbetur nga vaktet e familjes dhe thotë se nuk ka pasur asnjë ditë pushim që prej 18 muajsh.

“Zonja është e çmendur,” ka thënë Gladys, një grua filipinase në të 40-at, për punëdhënësen e saj. “Ajo më bërtet çdo ditë”.

Përpara se Katari të fitonte konkursin për të pritur Kupën e Botës 2022, punëtorët e huaj nuk ishin në gjendje të ndryshonin punë ose të largoheshin nga vendi pa lejen e punëdhënësit të tyre. Është ende kështu në shumicën e shteteve të Gjirit.

Nën vëzhgim, Katari filloi të prezantojë reforma, por Amnesty International thotë se këto nuk kanë arritur t’i japin fund një modeli abuzimesh me të cilat përballen punëtorët e shtëpiave.

P.sh: punëdhënësi i Gladys ka mbajtur pasaportën e saj, duke e penguar atë të largohet pa pëlqimin e tij. Mirëpo, Gladys ndihet ende me fat. Të paktën ajo është lejuar të mbajë telefonin e saj, ndryshe nga disa shërbëtore të tjera të huaja. Gjithashtu, ajo nuk është dhunuar fizikisht. Në Katar, kjo ndodh shumë shpesh, thotë ajo.

Ka një arsye tjetër që ajo dëshiron të qëndrojë në punën e saj aktuale – ajo mendon se nuk ka gjasa në moshën e saj që të ketë një punë më të mirë. Ajo fiton 1,500 rialë në muaj dhe është në gjendje t’i dërgojë të gjitha në shtëpi për të mbajtur familjen e saj.

Të drejtat e punëtorëve shtëpiak:

Joanna Concepcion e Migrante International, organizatë që mbështet punëtorët filipinas jashtë shtetit, thotë se shumica e shtetasve të huaj që punësohen në Katar heshtin për kushtet e këqija të punës, sepse fitimi i parave për familjet e tyre është përparësia e tyre kryesore.

Mirëpo, kur ata në shtetet e Gjirit ndihen mjaft të sigurt për të folur lirshëm, ata shpesh përmendin abuzime serioze. Një grua tha se punëdhënësi i saj ia shtynte kokën në tualet dhe i mohonte të drejtën për t’u ushqyer; madje madje edhe për të pirë uji, kur ishte i zemëruar.

E kundërta ndodh me një shërbëtore të punësuar nga familja mbretërore në pushtet Al Thani. Ajo thotë se trajtohet mirë – por ajo nuk ka ditë pushimi, siç duhet të kenë të gjithë punëtorët sipas rregullave të reja.

Duke folur për BBC-në nga bodrumi i një rezidence mbretërore, Althea shpjegon se punëdhënësit e saj i kanë dhënë një iPhone, rroba, stoli dhe këpucë të një lloji që ajo nuk mund ta përballonte në shtëpi në Filipine. Megjithatë s’mund të marrë ditë pushimi. Shërbëtorët në familjen mbretërore kanë dhomat e tyre të gjumit dhe një kuzhinë të përbashkët. Kjo është e rëndësishme, sipas Altheas, pasi shërbëtoret që ajo sheh në TikTok dhe Facebook nuk janë aq me fat; ata shpesh luten për ushqim dhe që dikush t’i shpëtojë.

“Unë i shoh ato video në internet gjatë gjithë kohës, prandaj ndihem kaq me fat,” thotë ajo. “Për mua çdo ditë ndihet si një përrallë”.

“Është punë e lehtë sepse jemi shumë”, thotë Althea.

Shërbëtoret pushojnë në banesat e tyre ndërmjet orës 15:00 dhe 18:00, më pas përgatiten për darkë. Pasi mbaron darka, Althea ka mbaruar punën dhe është e lirë të largohet nga kompleksi nëse dëshiron. Familja mbretërore nuk e mban pasaportën e saj. Por Althea punon çdo ditë, përfshirë fundjavat. Ajo nuk e merr ditën e pushimit që ligji i Katarit supozohet të garantojë tani. Është një çmim që ajo paguan për t’i siguruar familjes së saj mbështetje jetike financiare.

Mary Grace Morales, një rekrutuese në Manila, e cila bashkon stafin filipinas me VIP-at në Gjirin Persik, thotë se të punosh për pallatin është një punë “e lakmueshme pasi familja mbretërore është bujare”. Në një koment që pasqyron vështirësitë që mund të kenë hasur shërbëtoret në shtëpi, ajo shton: “Vajzat shëndoshen më shumë kur janë në pallat. Familja i ushqen mirë.”

Mirëpo, familja mbretërore ka disa kërkesa shumë specifike.

“Vajzat e dërguara për të punuar për familjen mbretërore të Katarit janë midis 24 dhe 35 dhe shumë të bukura, madje më e bukur se ti“- i thotë zonja Morales duke buzëqeshur gazetares.

Joanna Concepcion, nga Migrante International, thotë se shpreson që rrëfimi i Altheas për të punuar si shërbëtore mbretërore të jetë i vërtetë, por shton: “Është e pamundur që ne ta dimë këtë me siguri, ndërsa ajo është ende në Katar dhe punon për një familje kaq të fuqishme.”

Disa nga stafi mbretëror janë ankuar pas largimit nga vendi. Në vitin 2019, tre punëtorë britanikë dhe amerikanë – një truprojë, trajner personal dhe tutor privat – paditën motrën e emirit, Sheikha al Mayassa bint Hamad bin Khalifa Al Thani dhe burrin e saj, në Nju Jork, duke pretenduar se ata ishin detyruar të punonin me orë të gjata jashtë orarit. Çifti i mohoi akuzat dhe nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi.

“Raportimi dhe adresimi i rasteve të dhunës dhe ngacmimit, mungesës së sigurisë dhe shëndetit në punë dhe mungesës së akomodimit të mirë mund të jetë sfiduese”– thotë drejtoresha rajonale e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për shtetet arabe, Ruba Jaradat.

ILO thotë se po punon me Katarin për të zbatuar rregullat e reja që garantojnë një pagë minimale, një ditë pushimi çdo javë, pushim mjekësor dhe pagesa jashtë orarit, megjithëse kjo mbetet “një sfidë”.

Nga ana tjetër, Althea, në pallatin e saj mbretëror, thotë se është e lumtur pavarësisht orëve të gjata. Kur shkon në shtrat, ajo thotë se i dërgon mesazh njërit prej vëllezërve, motrave ose prindërve të saj në Filipine. Ajo shpesh ndjen mallin – një pallat përrallor nuk është shtëpi. Megjithatë, ai mbetet një burim vendimtar i të ardhurave.

“Nuk mund ta mbaja kurrë familjen time pa këtë punë”, thotë ajo. BBC i kërkoi familjes mbretërore të Katarit dhe ambasadës së Katarit në Londër të komentojnë, por nuk mori asnjë përgjigje./ Përshtati Pamfleti

Bota Katar Kupa e Botës Të drejtat e njeriut