Aktualitet21 Maj 2018, 14:22

Jeta e tyre në rrezik, 200 gazetarë që mbulojnë mafian italiane merren në mbrojtje nga policia (Emrat)

Shkruar nga Pamfleti
Jeta e tyre në rrezik, 200 gazetarë që mbulojnë mafian

Jeta e tyre në rrezik, 200 gazetarë që mbulojnë mafian italiane merren në mbrojtje nga policia (Emrat)

Për shumë ditë në këto katër vitet e fundit, Paolo Borrometi ka jetuar i izoluar edhe pse asnjëherë nuk është kurrë vetëm. Ai nuk ka shëtitur në park apo buzëdetit në vendlindjen e tij në Siçili për vite me rradhë. Ai nuk mund të shkojë në një restorant lirisht,  të ndjekë një koncert apo të shkojë në kinema.

As makinën nuk e drejton dot vetëm, nuk shkon dot as për shopping apo thjesht të hajë një drekë. Para se të niset për në punë ku mbulon mafian si reporter, ai e fillon ditën me një kafe ekspres, një cigare dhe eskortën e policisë.  Të mbulosh mafian si gazetar në Itali do të thotë të jetosh i izoluar.  Gjithsesi, Borrometi, 35 vjeç, është në shoqëri të mirë. Rreth 200 reporterë në Itali jetojnë nën mbrojtjen e policisë një ngjarje e paprecedentë kjo në perëndim.

“Asnjë nga ne nuk do të jetë hero apo model” kështu u tha gazetari Borrometi disa gjimnazistëve në Romë, ku ai jeton. “Ne thjesht duam të bëjmë punën tonë, detyrën tonë, duam të tregojmë histori”.

Edhe pse vrasjet që lidhen me krimin e organizuar po shtohen dita-ditës në Itali, thonë autoritetet ,vëzhguesit ndërkombëtar i konsiderojnë rrjetet kriminale si kërcënim të madh për gazetarët në Europë.

“Mos rresht së shkruari, Paolo” shkruante në e-mailin që Borrometi mori dy ditë pasi ai ishte kanosur në 2014 jashtë shtëpisë së familjes së tij në Siçili nga dy burra të maskuar. “Vendi ynë ka nevojë për gazetari të lirë dhe investigative. Ke gjithë respektin tim”. Ky shënim ishte dërguar nga

Daphne Caruana Galizia, një gazetare malteze e cila u vra kur makina e saj shpërtheu nga eksplozivi. Gazetarja e njohur u vra katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u organizuan pasi ajo akuzoi kryeministrin Joseph Muscat dhe gruan e tij për lidhje me skandalin “Pamana Papers”. Akuza e gazetares se kryeministri dhe bashkëshortja e tij kishim llogari bankare jashtë vendit.  Kur ajo vdiq në moshën 53 vjeçare kishte 47 akuza që rëndonin mbi të përfshirë një akuzë nga ministri i ekonomisë në Maltë.

Gazetarja Galizia, u vra në tetor të vitit të kaluar, ndërsa reporteri 27 vjeçar Jan Kuciak u vra bashkë më të fejuarën e tij në Sllovaki në shkurt të 2018. Ai po investigonte për një çështje korrupsioni që lidhej me bandat kriminale italiane.

Nxënësit në shkollën  e mesme “Terenzio Mamiani” në Romë dëgjuan prezantimin e gazetarit ku foli për rreziqet e profesionit.

“Dy gazetarë janë vrarë nga mafia brenda Bashkimit Europian, të dy gazetarët ishin duke investiguar histori që lidheshin me mafian apo aferet e qeverisë” tha Pauline Adès-Mével ,e cila është përfaqësuese e “Gazetarëve pa kufij” një organizatë që mbron lirinë e shtypit me seli në Paris.

“Italia është historikisht një vend që e ka ndjerë në lëkurë aktivitetin e mafias. Dhjetëra gazetarë jetojnë dhe punojnë 24 orë nën mbrojtjen e policisë. Kjo nuk ndodh në vende të tjera” tha Adès-Mével .

Ndër këta gazetarë  është edhe Lirio Abbate, ekspert i mafias që punon në revistën “L’Espresso” . 11 vitet e fundit ai ka qenë i mbrojtur nga policia qëkur u sulmua me eksploziv para shtëpisë së tij në Palermo

Federica Angeli, reportere e La Repubblica së bashku me familjen e saj është nën mbrojtjen e policisë për 5 vjet. Roberto Saviano, autori i librit të njohur “Gomorrah,” që më pas u adaptua në film dhe në serial për krimin në Napoli është gjithashtu nën mbrojtje që nga viti 2006.

Gazetari Borrometit raportoi një vit rresht  në ëebsaitin e lajmeve “La Spia” për lidhjet e bizneseve sekrete të politikës me mafian në juglindje të Siçilisë para se mafia ti vihej pas. Në harkun kohor të 5 viteve ai mori qindra kërcënime nga grupet kriminale lokale. Borrometi, i cili ka arsimin në drejtësi, filloi të shkruante  në një gazetë lokale kur ishte 17 vjeç, i inspiruar nga gazetari investigativ siçilian Giovanni Spampinato, i ekzekutuar nga mafia në vitin 1970.

Ai krijoi portalin e tij para 5 vitesh. Investigimi i parë që bëri ishte ndërhyrjet e mafias tek zyrtarët e lartë në qytetin e tij Siçili që ndikonin në vendimmarrjen e qeverisjes lokale.

Artikulli i tij evidentonte lidhjet mes fuqisë politike dhe bandave kriminale, përmendte emra te shoqëruara me fotografi dhe imazhe. “Qytetarët duhet të dinin se kush ishin këta persona kur i takonin në lokale” shkruante ai në artikull.

Fillimisht nisën telefonatat kërcënuese në mes të natës. Por pastaj gjithçka degjeneroi në dhunë fizike pasi ai nisi të botonte një seri më artikuj që flisnin sesi tregu i fruta-perimeve në Siçili kontrollohej nga bandat kriminale. Gazetari po ushqente qenin jashtë banesës në vendlindjen e tij kur dy burra e sulmuan i kapën krahun e djathtë dhe ia thyen në tre vende. “Të vetmet fjalë që më thanë ishin: shiko punët e tua dhe se ky ishte paralajmërimi i parë” thotë gazetari.  Pas 5 vitesh nga kjo ngjarje, ai nuk e lëviz dot normalisht krahun.

Por kjo ngjarje nuk e ndaloi të raportonte mbi mafian madje të çonte në gjyq një numër mafiozësh që e kishin kërcënuar. Një natë, pasi një sulmi në apartament që për pak e shkrumboi të gjithë vendin, policia vendosi ta merrte në mbrojtje të plotë. Mafia nuk u step aspak. “ Do ta heqim kokën edhe nëse je brenda komisariatit” kështu shkruajti më pas një bos i mafias në një postim në rrjetet sociale.

Raportimet e tij dhe investigimet e policisë kanë ekspozuar një rrjet më të madh të mafias që është zgjeruar nga tregu i fruta-perimeve në Vittoria të Siçilisë në mbarë Italinë dhe me tej në Europë. Bashkëpunimet e mafias janë shtrirë përtej kufijve me grupe të tjera kriminale. Gazetari italian zbuloi se një kompani që prodhon domate  Pachino apo siç njihen “domate qershi”, të certifikuara nga ministria e agrikulturës italiane, ishte nën pronësinë e djemve të dy mafiozëve.

“Njëri nga ata kishte kaluar mbi 20 vjet në qeli për lidhjet me mafian dhe tani punonte për kompaninë e djalit të tij”. Lajmi mori dhene dhe ministria e hoqi këtë kompani nga lista e subjekteve që tregtojnë “domate qershi”. Kjo bëri që mafiozët jo vetëm të ndiheshin të kërcënuar nga ekspozimi që u bëri gazetari por edhe të humbisnin miliona euro fitime.

Muajin e kaluar mafiozët vendosën të përshkallëzonin kërcënimet e tyre. Policia tha se kishin identifikuar disa mafiozë, të cilët po komplotonin me djemtë e tyre për të vrarë gazetarin duke i shpërthyer makinën me bombë. “Na duhet një fishekzjarr si në viti 90’, kur askush nuk mund të kalonte dot rrugën” dëgjohej një burrë të thoshte në përgjimet e policisë. “Një vdekje njëherë në aq është e nevojshme për të qetësuar të gjithë pëshpëritësit” dëgjohej në përgjim.

Referimi ishte për ato vite kur dy prokurorë të Palermos Giovanni Falcone  dhe Paolo Borsellino, u vranë brutalisht bashkë me badigardët e tyre dhe kur makinat me eksplozivë shpërthenin duke vrarë kalimtarë të rastësishëm dhe dëmtonin ndërtesa historike.

Në këtë përgjim të siguruar nga policia, burri kërkonte të rikthenin këtë periudhe të përgjakshme për të intimiduar autoritetet dhe qytetarët. Që nga ajo kohë nuk ka pasur shpërthime të makinave nga mafia në Itali.

Nino Di Matteo, një ish prokuror  që ka luftuar me mafian tha në një televizion disa ditë më parë se policia arrestoi personat që planifikonin sulmin për të vrarë zotin Borrometi.

“Gazetaria ka një rol thelbësor në luftën kundra mafias, veçanërisht në një moment të tillë. Mendoj se po ie nënvlerësojmë rrezikun që mafia përfaqëson  për vendin dhe demokracinë tonë” tha Di Matteo, i cili mbrohet me badigardë.

Gazetari Paolo Borrometi është mirënjohës  sigurisht ndaj policisë e cila ndërhyri dhe parandaloi një tragjedi.  “Shteti, policia dhe gjyqtarët më shpëtuan jetën” tha Borrometi gjatë një interviste në shtëpinë e tij në Romë. “Këtu jetoj pa familjen dhe njerëzit që dua” thotë duke buzëqeshur. “Por të paktën kam një punë të mrekullueshme”./BalkanWeb

Forum gazetarët mafia italaine