
Ju kujtohet ‘Histori dashurie’? Programi i dashur për publikun, tani në Youtube
“Histori dashurie”, formati shumë interesant që zbulonte të fshehtat e lidhjeve të dashurisë së personazheve të njohur, i servirur aq mjeshtërisht nga Ermira Çausholli, do të rikthehet për publikun besnik, këtë herë jo në televizion, por në platformën e Youtube.
Autorja e ‘E ardhmja është vajzë’ ka menduar që “Histori Dashurie”, programin e dashur të shqiptarëve, kushtuar dashurisë, këtë herë të mos ia besojë një logoje televizive.
Së fundmi autorja ka hapur kanalin e saj në platformën e njohur, ku përveç programit të ri “E Ardhmja është Vajzë”, ndjekësit do mund të ndjekin edhe prodhime të suksesshme në vite që mbajnë firmën e saj.
I transmetuar në televizionin Vizion Plus nga viti 2009 deri në vitin 2012, do të vijë i plotë, ekskluzivisht në kanalin zyrtar Youtube të Ermira Çaushollit.
Programi që vuri në plan të parë dashurinë do të vijë për ju aq i freskët sa atëherë, kur u transmetua për herë të parë.
Lajmin e mirë e bën të ditur vetë Ermira, e cila shkruan:
“Ju ka marrë malli për programin ‘Histori Dashurie’ ? Që një dekadë më parë solli në modë dashurinë, që zbuloi vlera të papërsëritshme nëpërmjet dashurisë, që për herë të parë ajo që shihej në ekran ishte e vërteta bio, pa prapaskena e kulisa, pa qëllimin në vetvete për klikime të çmendura apo numër ndjekësish në rrjete. Ky program fitoi zemrat e gjithë publikut dhe vëmendjen e tij ashtu siç pritej, në menyrë te menjëhershme. Megjithëse ka kaluar kohë, ky program origjinal mbetet unik nga çfarë përcolli në ekran. Ndaj, nga sot vendosa të risjell për ju të gjitha emisionet dhe rrëfimet e çifteve, të të shtatë sezoneve. Me sa duket ka ardhur koha për të zbutur zemrat dhe mendjet e njerëzve me dashuri dhe programe vlerash. Sa e bukur do jetë kjo kujtesë për publikun, aq e bukur dhe emocionuese do të jetë edhe për çiftet pjesëmarrës ne program! Jam e sigurt, të gjithë ju që e keni parë do ta rishihni me shumë kënaqësi , ndërsa ju që nuk e keni parë, për shkak të moshës së vogël në atë kohë, ju ftoj të shihni një program prej vërteti. Ekskluzivisht në kanalin tim zyrtar në YouTube.”, përfundon postimi.