
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore ka zbatuar ditën e sotme vendimin e Gjykatës së Rrethit gjyqësor Lushnje për të pezulluar nga detyra dy efektivë të policisë Rrugore, pasi akuzohen për korrupsion pasiv.
Për të dy efektivët është dhënë masa pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitje. Masa detyrim paraqitjeje është dhënë gjithashtu dhe për dy drejtues mjetesh, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.
Njoftimi i Policisë
Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat ka zbatuar sot Vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje datë 13.10.2022, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj punonjësve të strukturës së Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Kavajë:
– Inspektor H.T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
– Inspektor B.H., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje ka vendosur caktimin si masë sigurimi personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit P. T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në kuadër të këtij procedimi penal, nuk është ekzekutuar vendimi i kësaj Gjykate mbi caktimin si masë sigurimi personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, ndaj shtetasit E.SH., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi ky shtetas nuk gjendet në vendbanim dhe rezulton të ketë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë.
Caktimi i masave të sigurisë erdhi si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria Rajonale e AMP Fier-Berat në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Durrës-Kavajë mbi dyshimet për ndërveprime korruptive nga ana e shtetasve të mësipërm, në kuadër të Procedimit Penal Nr.807/2021.