
Juventusi “flet serbisht” ndaj Salernitanës, bardhezinjtë ‘fluturojnë’ me Vlahoviç dhe Kostiç
Juventusi u rikthye te fitorja në Serinë A, pas 3 rezultatesh radhazi negative. Bardhezinjtë e Alegrit, mposhtën me rezultatin 0-3, Salernitanën, në një duel që u vendos nga futbollistët serbë të “Zonjës së Vjetër”.
Ai që hapi serinë e golave, ishte Vlahoviç në minutën e 26, duke shndërruar në gol një penallti, ndërkohë që në minutën e 45, për të dyfishuar shifrat mendoi Kostiç, i cili gjeti rrugën e rrjetës pas asistit të Vlahoviç.
Për të vulosur këtë duel mendoi sërish bomberi serb, që në minutën e 47, gjeti edhe golin e tretë dhe dopietën e tij personale.
Kjo ishte fitorja e 12 në 21 javë për Juventusin, që momentalisht është pozicionuar në vendin e 10. Kujtojmë që bardhezinjve u janë zbritur edhe 15 pikë në renditje nga komisioni i disiplinës. Në sfidën e radhës, skuadra e Alegrit do të presë Fiorentinën.