Ore zotni! E njeh katundin ti? Çdo gjë e bëjmë si familje. Gruaja. Djali. Vajza. Lopët i kemi si rob shtëpije. I ushqejmë. I lajmë. I krehim. U pastrojmë bajgat. Lopët bëjnë edhe viça. Kur i çojmë në thertore, fëmijë të këputin shpirtin me lutje e lot…
Shkruan Mitro Çela
-Viti kur na izoloi corona-
Poshtë ballkonit qëndroi një katundar. Në duar mbante dy torba. Brenda: shishe me qumësht.
U ul në sofat. Ndezi një cigare. E pyeta nga ballkoni:
-Nga je?
-Katundar Tirone, që mos qofsha?!
-Të ka prishur shtëpinë tërmeti?
-Tërmeti bën ndonjë zarar, dhe merr arratinë. Por çfarë t’i bëj “tërmetit” që më zë çdo ditë derën. Shih : torbat plot. Siç erdha -po iki. Nuk ka punë. Pa punë nuk ka para. Pa para nuk blen njeri. Më ka mbetur pa u shitur edhe djathi. Gjiza. Salca.
-Shteti katundarët i sheh me syrin e njerkës. Që kur ka rënë flama, nuk mund të pish as kafe në Tiranë?!
-Më prit,-i thashë.- Po të bëj një kafe. Ta zbres me litar.
E mori kafen duke thënë:
-Kohë e çmendur! Kafe me litar?! Me litar në dorë jam gjithë ditën: lidh e zgjidh këmbët e lopëve. Litar për gomarin. Edhe për viçat. Siç po shkojnë punët, litari do më duhet edhe për të varur veten.
-Do luaj gruaja nga fiqiri, kur të shohi torbat plot e xhepat bosh?!
-Nuk kini kooperativë që të grumbulloi prodhimet dhe t’i shesë?
-Nga të kemi or zotni?! Ne shyqyr që shpëtuam nga kooperativat. I varrosëm këtu e 30 vite më parë.
-Sa lopë ke?
-Pesë!
-Kush merret me lopët?
-Ore zotni! E njeh katundin ti? Çdo gjë e bëjmë si familje. Gruaja. Djali. Vajza. Lopët i kemi si rob shtëpije. I ushqejmë. I lajmë. I krehim. U pastrojmë bajgat. Lopët bëjnë edhe viça. Kur i çojmë në thertore, fëmijë të këputin shpirtin me lutje e lot?!
Piu kafenë. E vuri filxhanin në shportë. E ngrita me litar. Mori torbat. Më falenderoi. Kur nisi të eci, mendja mori arratine në vite.
Tetor 1993. I ftuar si deputet në Romë. Seminar për ekonominë. U njoha me një ekonomist me shumë nishane nga Izraeli. Në atë mot, punonte si ekspert i FMN-së në Brazil. Më pyeti:
-Kini pasur kooperativa bujqësore?
Ju përgjigja: -Sigurisht. Mbretëruan për 50 vjet.
Ekonomisti nga Izraeli: – Me siguri qeveria ka ndryshuar statusin e kooperativave.
Unë:- Jo. U vumë kazmën. Nuk u ka mbetur as nam e as nishan? Në vendin tim, njerëzit nuk i durojnë “pjellat” e komunizmit…”
Thashë këtë frazë dhe nxora gjoksin përpara, si heronjtë e filmave të realizmit socialist.
Ekonomisti zgurdulloi sytë duke më thënë: -Gabim i rëndë! Kooperativat nuk janë sajesa komuniste. Kooperativa kemi në Izrael. Kooperativa ka në Danimarkë. Në Suedi. Në Brazil. Janë pjesë e ekonomisë së tregut…
-Ju, me siguri kini bërë ndarjen e tokës. Çdo fshatar ka parcelën e tij…Por si do punohet? Sipas jush, çdo familje duhet të blejë një traktor? Piqet gruri. Duhet korrur. Sipas jush, çdo familje duhet të blejë një autokombajnë?
-Është e pa mundur. Rritet kostoja e prodhimit. Çmimi i naftës po “sulmon” qiejt. Ndaj duhet kooperim. Për të punuar tokën. Për grumbullimin dhe shitjen e prodhimit…
-Do vijë një ditë, që toka në Shqipëri do të mbetet djerrë… Atëherë do të kujtoheni për “kazmën” që u vutë kooperativave. Dhe do të nisni punën nga e para?! ”
U ktheva nga Roma me aeroplan. Nga qielli, tokat të ndara mes fshatarëve, dukeshin si shami xhepi. Shumë toka të mbetura djerrë…
Me idetë e ekonomistit nga Izraeli “gatova” një artikull. E botova…
Pas disa ditëve pati një replikë. Artikulli mbante titullin: “Mitrua, kundër Mitros.” …
Mes të tjerave, autori shkruante:
-Nuk e bëjmë më faj autorin. Fajin e ka diploma që ka marrë. Ai stan, këtë bylmet bën…